REA është Raporti Evropian i Aksidenteve. Praktikisht, një formular emergjence shtesë, që i bashkëngjitet kartonit të TPL-së, siguracionit të deytureshëm motorik, për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Kompanitë e sigurimeve, sipas dispozitave të secilës policë sigurimi, bazuar në rregulloren e AMF dhe në legjislacionin e sigurimeve, kanë detyrimin për t’ua vënë REA-n në dispozicion, si dokument, bashkëlidhur me siguracionin TPL.
Duhet ta kërkoni bashkë me TPL kur merrni siguracionin, sepse është e drejta juaj dhe detyrimi i kompanisë, si përfitim dypalësh, që të pajiseni me REA.
Drejtuesit e mjeteve të përfshirë në një aksident rrugor, për dëmet ndaj pronës në vlerë deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, nëse bien dakort duhet të plotësojnë, të
nënshkruajnë dhe të shkëmbejnë Raportin Europian të Aksidenteve, pa patur nevojë që të kenë procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore.
Pala e dëmtuar me procesverbal mund t’i drejtohet kompanisë siguruese të shkaktarit dhe nëse dokumentimi i ngjarjes dhe dinamikës është bërë i plotë, i qartë dhe i dokumentuar mirë, mund të dëmshpërblehet edhe brenda ditës.




