Pak para verës, Greqia pritet të nisë zbatimin për kuadrin e identifikimit dhe ndëshkimin e pronarëve të mjeteve motorike që qarkullojnë pa siguracionin e nevojshëm.
Sipas mediave lokale, tashmë është gati dispozita që do të parashikojë kryerjen e kontrolleve sistematike, me mjete dixhitale.
Planifikimi fillestar parashikonte promovimin e rregulloreve përkatëse brenda marsit, por kushtet e jashtëzakonshme politike duket se e kanë detyruar qeverinë të shtyjë deri në fillim të verës ndërmarrjen e nismës përkatëse.
Automjete të pasiguruara edhe në Shqipëri
Pavarësisht numrit në rënie, në Shqipëri ka ende automjete që qarkullojnë në rrugët e vendit të pasiguruara.
Për të ulur numrin e mjeteve të pasiguruara, Shoqata e Siguruesve kërkoi të vendosej në Kodin Rrugor një dispozitë që parashikonte gjobitjen e drejtuesve të mjeteve që nuk e rinovonin policën e sigurimit brenda 30 ditëve nga përfundimi i policës së mëparshme.
Një propozim i tillë u vendos në variantin fillestar të projektndryshimeve në Kodin Rrugor, që u diskutuan gjatë vitit 2021. Por, pas diskutimeve në Kuvend, një dispozitë e tillë nuk u miratua.
Dëmet nga makinat e pasiguruara, ku duhet të trokisni
Ligji i ri i sigurimeve, që po zbatohet prej afro dy vitesh, ka dhënë impakt të drejtpërdrejtë sa i përket aksidenteve të shkaktuara nga makinat e pasiguruara.
Rreth 87% e këtyre dëmeve janë paguar përmes praktikës së siguruesit të drejtpërdrejtë, si një nga risitë e ligjit, ku i dëmtuari në një aksident të shkaktuar nga një mjet i pasiguruar ose i paidentifikuar e ka kërkuar dëmshpërblimin te shoqëria e tij e sigurimit.
Zgjidhja e problemit të aksidenteve nga mjetet e pasiguruara si dhe të Kartonit Jeshil solli edhe daljen e shqipërisë nga statusi nën monitorim ku qe vendosur prej rreth 10 vitesh nga Këshilli i Byroreve.
Pse nuk duhet qarkulluar me një mjet që nuk ka siguracion?
- Më e pakta është gjoba që merret direkt sapo identifikohet nga policia.
- Nëse personi (me automjet të pasiguruar) i shkakton dëm një mjeti tjetër të siguruar (dëm i cili paguhet nga kompania e sigurimit), atëherë këtë dëm detyrohet ta paguajë vetë personi që është i pasiguruar.
- Por më e keqja është nëse ndodh një aksident me pasoja në jetë njerëzish (pra dëmton mjetin dhe njerëz me plagosje apo humbje jete) të gjitha këto shpenzime i ngarkohen personit që është i pasiguruar.