11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKëmbimi valutor/ Leku e nis edhe vitin 2024 në pozita të forta

Këmbimi valutor/ Leku e nis edhe vitin 2024 në pozita të forta

Leku po ruan pozita të forta në kursin e këmbimit valutor edhe në javët e para të vitit 2024.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit valutor, Euro po këmbehet këtë të mërkurë me 103.5 lekë.

Kursi i monedhës europiane shënoi një rritje të shkurtër në ditët e para të këtij viti, duke arritur deri në nivelin e 104.71 lekëve, por kjo rritje nuk ka zgjatur shumë.

Kursi është sërish në rënie dhe Euro po zbret përsëri afër niveleve ku mbylli vitin 2023.

Edhe kursi i Dollarit Amerikan dhe Paundit Britanik po shënon një tendencë rënëse gjatë kësaj jave, duke ngelur sidoqoftë në nivele pak më të larta krahasuar me fundin e muajit dhjetor.

Forcimi i Lekut gjatë vitit 2023 ishte kryesisht rezultat i prurjeve rekord nga turizmi dhe i përmirësimeve të ndjeshme në bilancin e pagesave të vendit.

Në tremujorin e tretë 2023, bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 354 milionë eurove, ndërsa për gjithë 9-mujorin rezultati ishte pozitiv në vlerën e 28 milionë eurove.

Ekonomia shqiptare shënoi për herë të parë në historinë e vet një bilanc pozitiv të llogarisë korrente.

Forcimi i Lekut u mbështet pjesërisht edhe nga politika mjaft shtrënguese fiskale e qeverisë shqiptare. Gjatë vitit 2023, balanca buxhetore shënoi vlera suficiti rekord.

Sipas të dhënave të deritanishme, buxheti ishte me suficit deri në fund të nëntorit, ndërsa besohet se deficiti është shpenzuar i gjithi në muajin dhjetor. Rritja e shpenzimeve buxhetore vlerësohet se ndikoi në një zhvlerësim të lehtë të Lekut gjatë dhjetorit, por megjithatë edhe ky efekt vlerësohet se u balancua pjesërisht nga të ardhurat sezonale të lidhura me emigrantët dhe turistët e huaj në dy javët e fundit të vitit.

Analistët parashikojnë një situatë më të qëndrueshme të kursit të këmbimit në muajt e parë të këtij viti. Megjithatë, veçanërisht duke filluar nga tremujori i dytë, projeksionet bazë janë kryesisht në kahun e forcimit të Lekut. Në dhjetor të vitit të kaluar, kursi forward me afat njëvjeçar i kuotuar nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT) parashikonte një rënie të mëtejshme të kursit të këmbimit me 1.6% krahasuar me kursin ditor (spot) të periudhës, që ishte pranë niveleve të sotme.

Mbështetur në ecurinë e prenotimeve dhe pritshmëritë e operatorëve turistikë, pritet që numri i turistëve të huaj të jetë në rritje edhe për vitin 2024, çka pritet të sjellë rritje të të ardhurave dhe efekt pozitiv në bilancin e pagesave.

Edhe ndikimi i mundshëm i lëvizjeve të politikës monetare mund të jetë në favor të mbiçmimit të mëtejshëm të Lekut. Në nëntor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi se kthimi i inflacionit në objektiv mund të kërkojë rritje të mëtejshme të normave të interesit, që në Shqipëri janë në nivelet më të ulëta në Europë. Në fakt, në tremujorin e fundit të vitit 2024 inflacioni ka ngecur pranë nivelit të 4% dhe nuk po afrohet më shumë drejt objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, edhe ndikimi i politikës fiskale të qeverisë shqiptare në vija të përgjithshme pritet të jetë i ngjashëm me vitin 2023.

Qeveria ka parashikuar në buxhet një deficit sa 2.5% e PBB-së, në nivele të përafërta me vitin e kaluar. Për më tepër, duke pasur parasysh tendencën historike të buxhetit për ta përqendruar shpenzimin e deficitit në muajt e fundit të vitit, pritet që në pjesën më të madhe të vitit 2024 balanca buxhetore të ketë një efekt shtrëngues në ofertën e Lekut, shkruan “Monitor”.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat