Fëmijët dhe pensionistët në Kosovë do të marrin nga 100 euro në formë bonusi me rastin e festave të fundvitit.
Kjo u vendos në mbledhjen e sotme të qeverisë ku kryeministri Albin Kurti u shpreh se premtimi sipas të cilit çdo vit secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, në varësi të ardhurave të prindërve, do të realizohet.
Kurti sqaroi se skema në fjalë do të përmirësohet në të ardhmen, duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues. Kjo, sipas tij, do të bëhet në mënyrë që të ketë dallim në mbështetjen financare të dhënë nga shteti dhe që ata që kamë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.
Nga ana tjetër të gjithë pensionistët këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, do të marrin gjithashtu një bonus prej 100 eurosh, përveç pensionit të rregullt mujor.
Edhe në Shqipëri, qeveria akordoi një bonus prej 5,000 Lekësh, në formë bonusi për festat e fundvitit për çdo pensionist.