10.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetLetër e hapur për mikun tim Anti-VAX

Letër e hapur për mikun tim Anti-VAX

Nga Dr.Erion Dasho –

Më lër ta nis këtë letër duke thënë se i kuptoj shqetësimet e tua.

Në murin tënd në facebook të shkruajnë me dhjetëra, për të mos thënë qindra, miq virtualë puna e përditshme e të cilëve sot është bërë anatemimi i vaksinës.

Në inbox-in tënd vijnë video nga shkencëtarë dhe aktivistë që denoncojnë me patos “eksperimentet” që janë duke u bërë me vaksinat e “rrezikshme”, “konspiracionin global” që përgatitej prej shekujsh, por i mungonte vetën një koronavirus për t’u shpalosur, etj. etj.

Në ekranin tënd del herë pas here një personazh (shpesh i nderuar si jurist, si ambientalist apo si fallxhor) që flet me zjarr për viruset, vaksinat, ADN-në, antitrupat dhe limfocititet.

Flet me aq kompetencë, sa edhe mjeku më i zot i fushës përkatëse duket si amator para tij.

Ajo që është më e keqja, në ekranin tënd del herë pas here edhe ndonjë mjek që i bashkohet këtij enturazhi dhe, kur këtë mjek e dënojnë shoqatat mjeksore, ngrihet një stuhi akoma më e madhe se establishmenti po hakmerret ndaj guximtarëve dhe kalorësve të së vërtetës.

Të gjithë këta kanë një të përbashkët!

Ata të mbushin mendjen ty të mos vaksinohesh!

Të bindin se trupi yt i stërvitur, i ushqyer shëndetshëm, i përforcuar me disa vitamina “magjike”, mjafton për të të mbrojtur nga virusi!

Sinqerisht, uroj të kenë të drejtë!

Uroj që ti të jesh midis atyre 80% fatlumëve që e kalojnë COVID-in si një grip të zakonshëm. Apo midis atyre 15% më pak fatlumëve që sëmuren, por sidoqoftë nuk përfundojnë në një shtrat reanimator!

Lexo edhe: Viti i ri akademik nis me “policë” te dera/ Pa vaksinë, s’ka mësim

POR!

Mos harro se fati i keq mund të bëjë që ti të jesh tek ai 5%-i fatkeq… Atëherë pranë krevatit tënd nuk do të jetë:

…miku i Facebook-ut që të dërgonte videon e përditshme anti-Vax. Ai/ajo ka dëgjuar para disa muajsh se nuk duhet patur kontakt me një person të infektuar. I dhimbet jeta e vet!

…drejtuesi i protestës, ai juristi apo ambientalisti me të cilin dënonit së bashku konspiracionin botëror! Ai vazhdon në rrugën e vet. Dje protestonte kundër vaksinës, sot ka tjetër hall.

…parashikuesi me pamje profetike që mbin ekraneve dhe parashikon të ardhmen transhumane apo apokaliptike!

…ai mjeku amerikan, kanadez apo italian që ka vite që ka humbur licensën si sharlatan dhe mundohet të fitojë në Facebook apo YouTube ato që nuk fiton dot më si mjek!

…as ai mjeku ose mjekja shqiptare që fliste në ekran me entuziazëm! Ata nuk janë infeksionistë dhe vazhdojnë të merren me pacientët e vet!

Jo! Ti je në një dhomë spitali, i rrethuar nga mjekë dhe infermierë që po bëjnë të pamundurën për të të shpëtuar!

Që të japin medikamente, administrojnë injeksione, të lidhin pas aparaturave për të të matur temperaturën, rrahjet e zemrës, oksigjenimin, etj.

Që të kanë vendosur një maskë e cila të mban akoma në jetë sepse të jep oksigjenin që nuk ta japin dot mushkëritë e tua.

Rreth teje vdesin çdo ditë 5, 6 apo më shumë fatkeqë të tjerë dhe ti nuk e di nëse do të kthehesh dot apo jo pranë familjes dhe miqve.

Tani ndoshta e kupton se sikur të ishe vaksinuar, rreziku për të qenë në atë shtrat do të ishte rreth 10 herë më i ulët dhe se do të kishe dhjetë herë më shumë shans të ishe duke pirë një birë me shokët se sa të luftoje për jetën në spital!

Dimri po vjen dhe bashkë me të edhe virozat. Askush nuk mund ta parashikojë se si do të sillet COVID-i, por ajo që mund të parashikojmë është:

Nëse vaksinohesh sot mundësia për të vdekur nga COVID-i në gjashtë muajt e ardhshëm është jashtëzakonisht e ulët.

Mos e humb këtë shans!

Vaksinohu!

Lexo edhe: Nisi viti i ri akademik/ Studentët sigurojnë shëndetin! SIGAL UNIQA, zgjedhje e parë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat