Gjysma e parë e vitit 2023 solli përmirësim në disa prej treguesve të strategjisë së deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas analizës periodike të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, pesha e portofolit të kredive në valutë ndaj totalit të kredive ka shënuar rënie. Vlera e treguesit zbriti në 50.3% në fund të qershorit, 1.7 pikë përqindje më pak se në fund të dhjetorit 2022 dhe 0.9 pikë përqindje më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë kësaj periudhe, kreditë në valutë shënuan rënie ndërsa kreditë në lekë vazhduan rritjen. Treguesi i kredive në valutë në raport me totalin e kredive ka shënuar rënie për pjesën më të madhe të bankave të sistemit, me përjashtim të dy prej tyre. Krahasuar me fundin e dhjetorit 2016, ky tregues është ulur për 10 nga 11 bankat e sistemit, në madhësi të ndryshme.
Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit, ku kreditë në euro zënë rreth 90%, ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të qershorit 2023, këto kredi shënuan 32.3% të kredive në valutë, ose 16.2% të totalit të kredisë. Në terma absolutë vërehet një rënie me 0.8% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit krahasuar me fundin e gjashtëmujorit të mëparshëm.
Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut. Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të deeuroizimit.