Kredia për ekonominë shënoi një rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredive të reja të disbursuara nga sektori bankar arriti në 29.4 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e lartë e qershorit bëri që edhe vlera progresive e kredisë së re për 6-mujorin e parë 2022 të kthehet në rritje.
Për gjashtë muaj, sektori bankar dha 139.6 miliardë lekë, në rritje me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kredisë gjatë muajit qershor u mbështet sidomos nga segmenti i biznesit, ku kredia e re arriti vlerën e 20.1 miliardë lekëve, 35% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka bërë që edhe ecuria progresive e 6-mujorit të kthehet në rritje, në vlerën e 87.4 miliardë lekëve, me 0.4% më shuëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 713.3 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 1.6%.