17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMiratohet rregullorja për njohjen dhe tregtimin në Shqipëri të fondeve të investimit...

Miratohet rregullorja për njohjen dhe tregtimin në Shqipëri të fondeve të investimit nga vendet e BE-së

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi javën e kaluar rregulloren “Për njohjen e shoqërisë administruese të sipëmarrjeve të investimeve kolektive të licencuar në një vend anëtar të BE-së dhe njohjen rregulloorjae sipërmarrjes së investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike në tituj të transferueshëm të miratuar në një vend anëtar të BE-së”.

Rregullorja mbështetet në në ligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që u miratua në vitin 2020. Ligji parashikon për herë të parë mundësinë e marketimit dhe shitjes në Shqipëri të fondeve të investimit të licencuara në një vend anëtar të BE-së, në mënyrë që investitorët në Shqipëri të kenë më shumë alternativa si dhe akses për të investuar direkt në sipërmarrje të investimeve kolektive të licencuara në BE.

Rregullorja parashikon se shoqëria administruese apo dega e shoqërisë e licencuar në një vend anëtar të BE-së për të kryer administrimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike mund të marketojë dhe shesë aksionet ose kuotat e sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike në Republikën e Shqipërisë, pas njohjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Një procedurë e ngjashme njohjeje duhet të ndiqet edhe për secilin fond investimi (sipërmarrje e investimeve kolektive) që shoqëria administruese do të tregtojë në tregun shqiptar.

Prospekti që do i vihet në dispozicion investitorëve në Republikën e Shqipërisë, duhet të hartohet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë një shtojcë me informacionin lidhur me mënyrën e marketimit dhe shitjes së sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike të licencuar në një vend të BE-së në Republikën e Shqipërisë.

Sipas rregullores, shoqëria administruese apo dega e shoqërisë administruese e licencuar në një vend anëtar të BE-së pas njohjes, duhet t’i mundësojë AMF-së çdo informacion që kërkohet për çështjet e lidhura me veprimtarinë e subjekteve të njohura.

Vitin e kaluar, në fazën e konsultimit, kjo rregullore u kundërshtua nga Shoqata e Fondeve të Investimit në Shqipëri.

Sipas Shoqatës, lejimi i tregtimit të fondeve nga vendet e BE-së në Shqipëri me një proces të thjeshtë njohjeje i vendos fondet shqiptare në kushte konkurrence të pabarabartë, pasi ato nuk mund të reklamojnë ose të shesin në një vend të BE.

Shoqata argumentonte se, fondet e investimeve vendase nuk konkurrojnë dot me fuqinë reklamuese të një fondi global, fakt i cili krijon premisa për tkurrjen e këtyre fondeve dhe skenari pesimist mund të jetë që, në një cikël rritjeje të tregjeve globale, kapitali shqiptar do jetë i investuar në tregje ndërkombëtare dhe ekonomia shqiptare, duke mos pasur opsione investimi, do të mbetet pas në rritje.

Megjithatë, sipas AMF, njohja e këtyre fondeve është e parashikuar në ligj dhe rregullorja vetëm detajon kuadrin nënligjor për zbatimin e kësaj dispozite ligjore. Gjithashtu, AMF shprehet se, sipas ligjit, edhe shoqëritë administruese të licencuara në Shqipëri do të kenë të drejtë të tregtojnë fondet e investimit të licencuara në vendet e BE-së.

Sipas parashikimeve të nenit 101 të ligjit, rolin e agjentit të lidhur për të marketuar dhe shitur fonde të një shoqërie të licencuar në një vend të BE, mund ta kryejnë shoqëritë e sigurimit, shoqëritë komisionere, bankat ose persona të tjerë juridikë (përfshirë shoqëritë administruese të SIK) që kanë licencën e nevojshme nga Autoriteti, në zbatim të legjislacionit në fuqi për tregjet e kapitalit, të cilët kanë lidhur kontratë me shoqërinë administruese ose degën e shoqërisë administruese të licencuar në një vend të BE-së.

Për këtë qëllim, në mbledhjen e fundit Bordi i AMF-së miratoi edhe rregulloren “Për regjistrimin e agjentit të shitjes së sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike të licencuara në një shtet anëtar të BE-së”.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat