Turizmi në kryeqytet por jo vetëm, gjatë vitit që lamë pas kontribuoi në qasje pozitive krahas ardhjes nga një situatë post pandemi. Për të vendosur në mënyrë paralele, në vitin 2019 në territorin e Bashkisë Tiranë u konstatua një tkurrje e fluksit të turizmit si dhe aktivitetit ekonomik, por rimëkëmbja u duk ndjeshëm gjatë 2022 ku fluksi i turizmit u rikthye në mënyrë të shpejtë.
Në përllogaritje totale, gjallërimi i turizmit në Bashkinë e Tiranës vlerësohet të ketë ndikuar me një rritje prej rreth 228 milionë eurosh vlerë e shtuar bruto në vitin 2022. Në një kampion prej 150 hotele bare-kafe, restorante si dhe fast food-e në vende të ndryshme të Tiranës u konstatua një rritje e ndjeshme e xhiros.
Kështu, menaxherët e bizneseve të anketuara pohuan rritjen e përqindjes së xhiros, e kësisoj kjo rritje i adresohej sektorit Shërbime Akomodimi me 9% dhe në sektorin Kafe-Restorant në 7.4% rritje.
Nga kjo ndërthurje statistikore, rezulton se Vlera e Shtuar Bruto në territorin e Bashkisë Tiranë gjatë vitit 2022 nga aktivitetet akomodim, shërbim ushqimor, argëtim, art, tregëti, transport, dhe aktivitete të tjera shërbimi arriti shifrën rreth 1.275 miliardë euro, një rritje prej rreth 55 milionë eurosh krahasur me vitin 2019.
Ndërkaq efekti i drejtpërdrejtë i turizmit, ndikoi pozitivisht dhe tërthorazi në aktivitete të tjera ekonomike në territorin e Bashkisë Tiranë në masën e 173 milionë euro.
Gjatë viti 2019 në total në Shqipëri u futën 6.4 milionë shtetas të huaj, ndërsa gjatë vitit 2022 u futën mbi 7.5 milionë shtetas të huaj.