17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSamiti i BE/ Rrugët që bllokohen në Tiranë duke nisur nga sot...

Samiti i BE/ Rrugët që bllokohen në Tiranë duke nisur nga sot në 14:00

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen në Tiranë për sigurimin e mbarëvajtjes së samitit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, më 6 dhjetor.

Bllokimi nis nga sot, ora 14:00 dhe zgjat deri nesër pasdite, pas largimit të delegacioneve të liderëve europianë.

Për garantimin e sigurisë së personaliteteve të larta europiane pjesëmarrëse në të, perimetri i sigurisë do të përfshijë Stadiumin “Air Albania”, Pallatin e Kongreseve dhe godinën e kryeministrisë dhe gjithë zonën përreth.

Sipas planit të masave në këtë zonë do të ndalohet tërësisht lëvizja e automjeteve, si edhe e qytetarëve që nuk janë rezidentë, përveç të punësuarve. Referuar masave, e bllokuar do të jetë rruga e Elbasanit nga kryqëzimi i “7 xhuxhave” në rrethrrotullimin e Saukut, segmenti i Unazës së Vogël në të dyja krahët nga “7 xhuxhat” deri te kryqëzimi pranë parkut “Rinia”, si edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës, deri tek ish-Garda e Republikës.

E bllokuar do të jetë edhe rruga nga ura e këmbësorëve mbi Lanë pranë Katedrales Katolike, deri te stadiumi “Air Albania” dhe çdo aks që lidh këtë rrugë me rrugën e Elbasanit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për të krijuar një korridor sigurie për shoqërimin e delegacioneve nga Rinasit në Samit, do të jetë tërësisht i bllokuar aksi nga rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re në drejtim të Pallatit me Shigjeta – ish-sheshi Shqiponja – autostrada Tiranë-Durrës – Kthesa e Kasharit-Rinas.

Nga ana tjetër, me gjithë këmbënguljen e Partisë Demokratike për të protestuar në bulevard në 6 dhjetor, Policia e Shtetit e vlerëson këtë përpjekje cenim të perimetrit të sigurisë.

Zyrtarët e Policisë së Shtetit pohuan se në institucionet arsimore brenda perimetrit të sigurisë do të ketë mësim më 6 dhjetor. Punonjësit në institucionet publike a private do të identifikohen me “badget” përkatëse, ndërsa banorët rezidentë do të identifikohen nga Specialistët e Policimit në Komunitet, madje do të shoqërohen nga efektivë drejt banesave të tyre.

LEXO EDHE: Aeroporti i Rinasit njofton qytetarët: Nesër paraqituni 4 orë para udhëtimit

Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”;

Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, tek ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri te kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.

Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.

Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.

Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë dhe në kthim për në Rinas.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.

Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidentë në perimetrin e sigurisë, sqarojmë se:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga krahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga krahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat