“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë në lidhje me depozitat sipas rretheve, për të kuptuar ato që kanë regjistruar ndryshime të mëdha në tremujorin e 3-të të këtij viti, krahasuar me periudhën para krizës.
Në shifrat e Bankës së Shqipërisë rezultojnë vetëm 8 rrethe, të cilat korrespondojnë edhe me 8 qarqe, ndërkohë që 4 të tjerat janë të klasifikuara si “të tjera”.
Por çfarë tregon analiza e shifrave?
Ndër 8 rrethet ose qarqet e marra në analizë, 7 prej tyre vihen re me rritje të stokut të depozitave bankare në tremujorin e 3-të, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pra përpara se vendin ta godiste kriza e çmimeve.
Ndërkohë, vetëm njëri prej qarqeve rezulton të ketë tkurrje të depozitave, dhe ai është Fieri.
Depozitat bankare në Fier, në fund të 9-mujorit të këtij viti rezultojnë të jenë 0.21% më të ulta se fundi i vitit të kaluar. Në terma absolutë bëhet fjalë për rreth 1.6 miliardë lekë më pak në banka, ose rreth 14 milionë euro. Depozitat i referohen të gjitha segmentëve, pra si individëve, ashtu edhe bizneseve apo institucioneve qendrore e lokale.
Në vend të dytë, si qarku me rritjen më të ulët të depozitave bankare këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, përpara krizës, është Elbasani, ku depozitat bankare janë rritur me vetëm 1.43% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Ndjek në renditje kryeqyteti, me vetëm 3,42% rritje të kursimeve në banka. Këto tre qarqe duket të jenë më të goditurat nga kriza, të paktën bazuar në analizën e shifrave mbi depozitat bankare.