-1.5 C
Tirana
Monday, November 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSigurimi nga katastrofat/ 92% e primeve në Tiranë, pjesa tjetër "zbuluar"

Sigurimi nga katastrofat/ 92% e primeve në Tiranë, pjesa tjetër “zbuluar”

92% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë të përqendruara në qarkun e Tiranës.

Të dhënat nga raporti i Gjeografisë së Sigurimeve, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare  tregojnë se, produkti më i rëndësishëm i sigurimit vullnetar ka një shkallë shumë të lartë përqendrimi në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka një mbulim të papërfillshëm me prime sigurimi ndaj fatkeqësive natyrore.

Vitin e kaluar, primet e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës arritën vlerën e 2.05 miliardë lekëve ose rreth 17 milionë Eurove. Kjo shumë përkthehet në vetëm 6 Euro prime sigurimi në vit për frymë ose rreth 22 Euro për familje.

Veç arsyeve të kuptueshme, të lidhura me diferencat në zhvillimin ekonomik mes Tiranës dhe pjesës tjetër të vendit, përqendrimi i këtij produkti në kryeqytet lidhet shumë edhe me tregun e pronave.

Sipas kompanive, ndërgjegjësimi për sigurimin vullnetar të pronës nga fatkeqësitë natyrore është shumë i ulët dhe ky produkt dominohet nga sigurimi, faktikisht i detyrueshëm nga ana e bankave, për pronat që janë lënë si kolateral për kreditë bankare.

Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e blerjeve të pasurive të paluajtshme financohen me kredi dhe duke qenë se tregu i pronave dominohet nga Tirana, edhe primet e sigurimit nga katastrofat janë tejet të përqendruara në Tiranë.

Një arsye që e rrit edhe më shumë përqendrimin e primeve në Tiranë është vlera e pronave të siguruara. Duke qenë se në Tiranë vlera e pronës apo e përgjegjësisë së siguruar është më e lartë, atëherë edhe primet e sigurimit janë në vlera më të mëdha. I matur si numër kontratash, përqendrimi i këtij produkti në Tiranë është disi më i ulët, me rreth 80% të totalit të kontratave të sigurimit.

Vitin e kaluar, në Shqipëri u shitën rreth 52 mijë polica për sigurimin e pronës nga katastrofat, nga të cilat mbi 41 mijë në Tiranë. Megjithëse të dhënat e Censit të Banesave nuk janë të përditësuara në më shumë se një dekadë, vlerësohet se numri i pronave të siguruara është shumë i ulët në raport me numrin total të tyre.

As tërmeti i vitit 2019 nuk e shkundi ndërgjegjësimin për të siguruar pronat nga fatkeqësitë. Siguruesit besojnë se një nga arsyet pse shqiptarët nuk i sigurojnë pronat është fakti se shteti vazhdon të marrë përsipër t’i zhdëmtojë në këto raste, siç ndodhi me programin e rindërtimit.

Pas tërmetit, u rikthyen diskutimet rreth mundësisë ngritjes së një skeme të detyrueshme kombëtare për sigurimin nga katastrofat. Drafti i përgatitur me konsulencën e Bankës Botërore parashikonte ngritjen e një entiteti publik që do të menaxhonte këtë skemë, sipas modelit të Turqisë.

Por, edhe ky draft u la mënjanë dhe deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë nismë zyrtare ligjore për të ngritur një skemë të tillë. /Monitor

LEXO EDHEGjeografia e Sigurimeve 2021/ Tirana në krye me 60.50% të totalit, primet 6,887 lekë për frymë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat