16.5 C
Tirana
Friday, March 29, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet2021, fitim rekord prej 19 miliardë lekësh/ Ja bankat që kryesojnë tregun

2021, fitim rekord prej 19 miliardë lekësh/ Ja bankat që kryesojnë tregun

Sektori bankar shënoi fitimin më të lartë historik gjatë vitit 2021.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 19 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë.

Nga 12 banka tregtare aktive, 11 e mbyllën vitin financiar me fitim. Rritja e fitimeve të sektorit bankar reflekton një ecuri përgjithësisht pozitive të aktivitetit, të karakterizuar nga një zgjerim i aktiveve dhe sidomos i portofolit të kredisë dhe një përmirësim i mëtejshëm i cilësisë së aktiveve.

Portofoli neto i kredisë (gjithnjë me standardet IFRS) arriti në pothuajse 648 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12%. Ndërsa raporti i kredive me probleme (i vlerësuar sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë) në fund të vitit të kaluar ra në 5.65%, niveli më i ulët në trembëdhjetë vitet e fundit.

Lexo edhe: 11-mujori 2021/ Sigurimi i jetës së debitorit, kontrata rritje me 21%. SIGAL LIFE në krye

Në vlerë absolute, banka me vlerën më të madhe të fitimeve mbetet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), për një vlerë totale prej gati 7.9 miliardë lekësh, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Vijon Raiffeisen Bank me një fitim neto në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, 132% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Bankat e tjera që kanë siguruar një fitim sipas kufirit të një miliardë lekëve janë OTP Albania, me 1.9 miliardë lekëve (në rritje vjetore me 26%), e ndjekur nga Banka Amerikane e Investimeve me 1.45 miliardë lekë (me rritje vjetore 14%) dhe Credins Bank me 1.2 miliardë lekë (me rritje vjetore prej 8%).

Bankat e tjera kanë raportuar rezultate më të ulëta, por për shumicën prej tyre në rritje krahasuar me vitin e kaluar.

Përmirësimi i performancës është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit të sektorit bankar. Kthimi mesatar nga kapitali për 2021 arriti nivelin e 11.32%, nga 8.63% që kishte qenë një vit më parë, por lehtësisht më i ulët se niveli prej 12.03% i vitit 2019, para pandemisë.

Për vitin e kaluar, banka me kthimin më të lartë nga kapitali ishte për të tretin vit radhazi OTP Albania, me 20.3%, e ndjekur nga Fibank Albania me 16.93%, BKT me 16.85%, Union Bank me 15.74%, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) me 14.7% dhe Raiffeisen Bank me 12.49%. Banka e tjera kanë raportuar kthime pozitive në nivele njëshifrore.

Në vitet e fundit, një grup bankash të përmasave të mesme po shfaqin një performancë dhe rentabilitet në rritje. Procesi i konsolidimit të sektorit bankar duket se ka ndikuar në rritjen e eficiencës dhe përfitueshmërisë së disa prej bankave, element që mund t’i bëjë këto banka më konkurruese në afatin e gjatë.

Përfitueshmërinë më të ulët për 2021 e raportoi Alpha Bank, me një kthim në nivelin 0.97%. Rezultatet modeste ishin arsyeja kryesore që shtyu grupin grek ta nxirrte në shitje bankën shqiptare. E vetmja bankë me humbje për vitin e kaluar rezulton Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me një kthim negativ nga kapitali në nivelin 3.9%.

Megjithatë, raportimi i UBA është i vetmi që bazohet në standardet lokale të Bankës së Shqipërisë dhe nuk përjashtohet që rezultati final vjetor sipas IFRS të jetë i ndryshëm.  /Monitor

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat