9.5 C
Tirana
Tuesday, April 23, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet122 viktima në 9 muaj nga aksidentet rrugore/ Shqipëria dyfish më shumë...

122 viktima në 9 muaj nga aksidentet rrugore/ Shqipëria dyfish më shumë vdekje se BE

Kjo është Java Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve Rrugore.

Megjithëse në rënie, Shqipëria mbetet një ndër vendet me numrin më të lartë të njerëzve që humbin jetën në aksidente rrugore.

Vitin e shkuar pati 70 vdekje për 1 milionë banorë, tregues ky ndjeshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian e madje Kosovës.

Në kushtet që aksidentet rrugore vijojnë të marrin shumë jetë, duhet punuar me përgatitjen e qytetarëve në dhënien e ndihmës së parë thonë përfaqësues nga Kryqi i Kuq.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në 9-mujorin janar-shtator pjesa më e madhe e atyre që u përfshinë në një aksident rrugor ishin të grup-moshës 25 deri në 34 vjeç, ndërsa më të përgjegjshmit rezultojnë ata mbi 60 vjeç.
Disa nga shkaqet kryesore të aksidenteve:
  1. Një nga shkaqet më të rëndësishme është drejtimi i mjetit pa praktikën e duhur, drejtimi i tij në moshë të madhe, humbja e reflekseve dhe kontrolli i mjetit. Situata në rrugë është e gjithanshme por reflekset dhe komandimi i saj nuk mund të merren me një patentë të blerë apo me një makinë të vjetër që ka bërë mijëra kilometra dhe që nuk lejohet të qarkullojë në Europë, për shkak të mbikalimit të limit të lejuar të kilometrave të përshkruar dhe parametrat që mbart.
  2. Infrastrukura rrugore. Nuk ka asnjë normë qarkullimi, pasi diku punohet e diku zgjerohet, diku tjetër rikonstruktohet por nga ana tjetër lejohet kalimi i automjeteve e të tjera situata si këto, të cilat nuk paralajmërohen pa asnjë shenjë dalluese, pa asnjë sinjalistikë si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës. Sa aksidente kanë ndodhur në këto rrugë? Të gjithë e dimë, por të gjithë heshtim. Por kush është përgjegjësi dhe pse nuk penalizohet së paku financiarisht për dëmet e shkaktuara? Por themelore mbetet infrastruktura rrugore, e cila tashmë është bërë stresante dhe e papërballueshme koridorete e veriut nisur nga Tirana jne ne gjendje  te pa mundur per tee cur.
  3. Mjetet tejet të përdorura në rrugë të këqija. Çdokush ëndërron të blejë një makinë, por që të blesh një makinë të re do të thotë të ëndërrosh dyfish. Ajo se çfarë ndodh në Shqipëri është se Qeveria Shqiptare ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë, edhe përmes aplikimit të taksave të ulëta, mjetet e përdorura. Kush është arsyeja për këtë? Rreth 50 mijë mjete të përdorura shiten çdo vit kundrejt 3000 makinave të reja.
  4. Mungesa e sinjalistikës në rrugët hyrëse e dalëse. Ato rrugë që janë ndërtuar dhe që janë ana pozitive e zhvillimit të vendit janë sot nën sulmin e njerëzve të pandërgjegjshëm, por edhe në papërgjegjshmërinë e strukturave shtetërore për mbrojtjen e rrugëve.
  5. Drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit. Mungesa e kontrollit nga policia dhe drejtimi i automjetit nga përdoruesë nën efektin e alkoolit, përbëjnë arsyet kryesore të 50% të aksidenteve në Shqipëri. E keqja më e madhe është se këta përdoruesë nuk kontrollohen në vendin e aksidentit ose nuk shënohet në proces-verbalin e policisë, në mënyrë që personi të mos dënohet dhe të përfitojë nga siguracioni. Një investim i detyrueshëm me regjistrimin online të çdo rasti do të shmangte përgjegjësinë dhe do bënte të mundur uljen e përdoruesve të alkoolit.
  6. Sistemi rrugor shqiptar nuk ekziston askund, pa asnjë sinjalistikë pa asnjë shenjë dhe pa asnjë mbrojtje. Këto ishin rrugët e ndërtuara në socializëm ku kalonte Zisi e Saurreli dhe kur nuk flitej për mbrojtëse rrugësh, përveç rasteve kur thuhej se makina doli nga rruga dhe ra në humnerë. Statistikat tregojnë për shumë raste të humbjes së jetës si pasojë e këtyre rënieve në Shqipëri.

Nga ana tjetër, në shumë rrugë, këto sinjalistika janë vjedhur dhe në shumë segmente rrugore janë vendosur keq, duke krijuar kaos dhe në jo pak raste në shumë automjete kanë hyrë deri tek timoni, vetëm nga vendosja me ndërprerje e këtyre mbrojtëseve.

  1. Përdorimi i gomave të konsumuara nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimi i gomave të njëjta si në dimër ashtu edhe në verë ka shkaktuar plot aksidente. Kjo ndodh pasi nuk ka asnjë penalizim për asnjë drejtues mjeti dhe akoma tregtohen goma të përdorura në Shqipëri. Por pse lejohet kjo, kush janë arsyet? Për sistemin e transportit publik ekziston një kontroll i rreptë i cili garanton lëvizjen e qytetarëve. Atëherë pse të stimulohen vjetërsirat në rrugë?

23% e Mjeteve të Pasiguruara/ Dëmet prej tyre në rritje 

Dëmet e paguara nga Fondi i Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve këtë vit janë në rritje të ndjeshme.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për shtatë muajt e parë të vitit ky fond pagoi dëme në vlerën e 187 milionë lekëve ose rreth 1.6 milionë eurove.

Dëmet e paguara janë rritur me 24.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Fondi i Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ka për detyrë pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara dhe të paidentifikuara. Më pas, Fondi ka të drejtë të ngrejë padi regresi ndaj shkaktarit të dëmit në gjykatë dhe të marrë mbrapsht shumën e paguar.

Paralelisht me vlerën e dëmeve të paguara po rritet edhe vlera e dëmeve pezull që janë në proces të shlyerjes nga ky fond. Të dhënat e AMF tregojnë se në fund të muajit korrik, vlera e dëmeve pezull të Fondi arriti në 988 miliardë lekë, në rritje me 8.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore.

Rritja e vlerës së dëmeve të paguara dhe atyre pezull nga Fondi i Kompensimit në thelb dëshmojnë një tendencë në rritje të dëmeve nga mjetet e pasiguruara.

Drejtuesit e shoqërive të sigurimit në Shqipëri janë ankuar gjithmonë për praninë e një numri të madh të mjeteve të pasiguruara. Sipas tyre, ky është një ndër argumentet pse aplikimi i një sistem bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm në Shqipëri është i vështirë.

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në fund të vitit 2021 numri i automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, që ishin rreth 741 mijë. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të njëjtin vit kompanitë e sigurimeve raportuan 568 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.

Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se më pak se 77% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike. 23% e totalit, ose rreth 173 mijë mjete, rezultojnë të pasiguruara. Shifra në vetvete është shumë e lartë dhe përfaqëson një vlerësim maksimal, pasi me shumë mundësi një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht. Veç atyre që janë të çregjistruara përkohësisht, ajo mund të përfshijë edhe shumë automjete që nuk janë çregjistruar, për shkak të neglizhencës dhe sidomos për të shmangur pagesën e detyrimeve, fenomen që historikisht problematik në Shqipëri.

Për të ulur numrin e mjeteve të pasiguruara, Shoqata e Siguruesve kërkoi të vendosej në Kodin Rrugor një dispozitë që parashikonte gjobitjen e drejtuesve të mjeteve që nuk e rinovonin policën e sigurimit brenda 30 ditëve nga përfundimi i policës së mëparshme. Një propozim i tillë u vendos në variantin fillestar të projektndryshimeve në Kodin Rrugor, që u diskutuan vitin e kaluar. Por, pas diskutimeve në Kuvend, një dispozitë e tillë nuk u miratua.

Sigurimet dhe Dëmet nga aksidentet rrugore

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka rreth 23 vite që është liberalizuar, por mbetet një treg i brishtë dhe me plot nevojë për ndryshime që ecin paralelisht me zhvillimin e shoqërisë, ekonomisë dhe teknologjisë.

Edhe pse sigurimet janë një nga tri shtyllat e ekonomisë së zhvillimit të një vendi, kjo industry është lënë në harresë dhe jashtë programeve të zhvillimit, dhe kjo për dy arsye:

E para, është mungesa e njohjes së kësaj industrie nga ligjvënësit.

E dyta, është mungesa e kulturës qytetare mbi sigurimet.

Sipas raportit më të fundit të AMF, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik (TPL), gjatë periudhës janar-shtator 2022 arritën rreth 9,546 milionë lekë ose vetëm 26 euro për frymë, ndërkohë që Europa e ka disa herë më të lartë.

Fokusimi tek sigurimet motorike dhe dëmet në këtë fushë prej 23 vjetësh ka bërë që ky treg të mbetet i fokusuar vetëm te sigurimi TPL sepse e kërkon polici në rrugë dhe jo sepse është siguracion që na mbron ne dhe të tjerët në rrugë.

Pakkush e di përgjegjësinë që rrjedh nga një policë e tillë e shitur dhe shumëkush e konsideron një taksë, duke harruar se Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm material dhe shëndetësor.

Nuk duhet harruar se limitet e përgjegjësisë në Shqipëri janë rritur shumë, por janë rritur dhe dëmet materiale e shëndetësore. Njëkohësisht janë rritur edhe aksidentet, dhe ne jemi dëshmitarë të këtyre aksidenteve, të cilët natyrisht, janë objekt dëmshpërblimi kur kemi të bëjmë me fajësi të ligjshme të shkaktarit të dëmit.

Ligji e ka përcaktuar qartë. Në çdo aksident rrugor përfitojnë edhe pasagjerët, edhe drejtuesi i mjetit nëse nuk është shkaktar i tij.

Shoferi i makinës shkaktare nuk përfiton nga polica e sigurimit ndaj shumë herë kemi apeluar tek qytetarët të tregohen të kujdesshëm.

Momenti pas aksidentit dhe prania e policisë në vendngjarje e bëjnë situatën shumë lehtë të manipulueshme pasi presioni është shumë i lartë. Mos prano fajësinë nëse nuk je shkaktar i aksidentit.

Aksidentet rrugore, siç është faktuar edhe nga emisionet investigative në televizione, janë kthyer gjithnjë edhe më shumë në nje mundësi për “gjueti” nga ana e avokatëve.

Ndaj çdo klient duhet të paraqitet menjëherë në kompaninë ku është i siguruar, pa patur nevojë ti drejtohet avokatëve apo sekserëve pasi kështu thjesht do të humbasin kohë dhe paratë që i takojnë konform ligjit.

Nëse kompania nuk ju paguan brenda afatit të caktuar nga momenti që ti dorëzon dokumentar, që është maksimumi tre muaj, atëherë drejtohuni organeve të tjera.

INFORMACIONE TË RËNDËSISHME MBI SIGURIMIN E DETYRUESHËM MOTORIK

ÇFARË DO TË THOTË SHKURTESA TPL?

TPL (ose MTPL) do të thotë Përgjegjësia Civile e Pronarit/përdoruesit të Mjetit Motorike për dëmët e shkaktuara palëve të treta dhe i korrespondon kontratës së sigurimit të detyrueshëm në Shqipëri për qarkullimin e mjetit motorrik.

Kjo marrëdhënie juridike rregullohet nga ligji nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

ÇFARË MBULON SIGURIMI I DETYRUESHËM I MJETIT MOTORIK?

Sigurimi i detyrueshem i mjetit motorrik mbulon dëmet qe i shkaktohen palëve të treta gjatë përdorimit te mjetit motorrik me pasojë dëmtime të pronës, dëmtime trupore dhe përkeqësimin e shëndetit dhe humbjen e jetës. Sigurimi mbulon edhe dëmet ndaj personit dhe pronës qe mund tu shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve dhe personave të tjetë që lëvizin në rruge, vete strukturave te rrugës dhe pasurive përreth si psh koshi i plehrave, shtyllat, dyqanet etj).

Është e rëndësishme te kuptoni se sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë nuk mbulon dëmët e mallrave të cilat i ka marrë përsiper ti transportoje drejtuesi i mjetit shkaktar të aksidentit dhe që ndodhen në mjet në momentin e aksidentit.

A ËSHTË E NDALUAR TË QARKULLOJMË PA QENË TË SIGURUAR?

Mjetet motorike nuk mund të qarkullojnë në rrugë dhe vende publike, pa qenë të siguruara sipas normave të dispozitave në fuqi për përgjegjësinë civile ndaj të tretëve.

Cilido që qarkullon pa qenë i siguruar, ndëshkohet me masë administrative me gjobë si dhe është i detyruar të paguajë të gjithë dëmet e shkaktuara gjatë përdorimit te mjetit motorrik.

A MBULOHEN VETËM DËMET E NDODHURA NGA AKSIDENTET NË SHQIPËRI?

Jo vetëm në territorin e Republikës të Shqipërisë, por edhe në territorin e Republikës te Kosovës, kjo e fundit sipas marrëveshjes ndërmjet dy shteteve.

Po ashtu mbulohen dhe dëmet e ndodhura në shtetet e tjera që bëjnë pjesë në sistëmin e Kartonit Jeshil, kur mjeti motorrik shqiptar pajiset me kontratën e sigurimit “Karton Jeshil”, që është një ndër kontratat e sigurimit MTPL.

ÇFARË NUK MBULON KONTRATA E SIGURIMIT TË DETYRUESHËM MTPL?

Përjashtohen nga mbulimi ne sigurim dhe nuk kanë të drejtën e dëmshpërblimit drejtuesi i mjetit shkaktar i aksidentit për dëmet fizike dhe materiale ka pësuar ai nga aksidenti (neni 22 i ligjit nr.32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”).

Të dëmtuarit përveç drejtuesit të mjetit shkaktar quhen të dëmtuar “palë të tretë” dhe mund të klasifikohen “palë të tretë të transportuar” (pasagjerët) dhe “palë të treta të patransportuar”. Vlera e dëmit mund të reduktohet nëse pala e tretë e dëmtuar provohet se është sjellë në një mënyrë që ka kontribuar në përkeqësimin e dëmit të pësuar.

NËSE NË NJË AKSIDENT KA DISA TË DËMTUAR, A MBULOHET DHE VETË I SIGURUARI?

Çdo i dëmtuar, përveç drejtuesit të mjetit shkaktar, mbulohet, dhe këtu futet dhe vetë i siguruari (pronari i mjetit) nësë ai është pasagjer dhe mjafton mos të ketë përgjegjësi në shkaktimin e aksidentit.

Po ashtu nuk mbulohen dhe të dëmtuarit që janë dëmtuar për shkak të përdorimit të një mjeti në ngjarje sportive në rrugë apo pjesë rrugësh, të palejuara për drejtim të mjetit, për arritjen e shpejtësive mesatarisht të larta ose për t’u stërvitur për gara; (neni 22 i ligjit nr.32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”).

NË CILAT RASTE KONTRATA E SIGURIMIT TE DETYRUESHËM MTPL NUK MBULON TË SIGURUARIN?

Kur dëmi është shkaktuar nga një drejtues i paautorizuar i mjetit motorrik ky drejtues nuk eshtë i mbuluar nga kontrata e sigurimit për dëmët që ai shkakton të tretëve. Kjo i jep të drejtën shoqërisë të sigurimit pasi ka paguar dëmin ndaj palës të trëtë të dëmtuar ti drejtohet shkaktarit të dëmit për kthimin e shumës dëmit të paguar plus interesa e shpenzime.

E njëjta gjë ndodh, kur drejtuesi i mjetit drejton mjetin nën ndikimin e alkolit, lëndëve narkotike apo psikoaktive, në momentin e aksidentit, ka qenë pa leje drejtimi (patentë), e perdor mjetin jo sipas destinacionit të tij, e shkakton dëmin qëllimisht, aksidenti ndodh për shkak të defekteve teknike të mjetit, për të cilat drejtuesi ka qenë në dijeni.

Kujdes, humbja e të drejtave që rrjedhin nga kontrata e sigurimi MTPL kundrejt të siguruarit, nuk kufizon të drejtat e palëve të treta të dëmtuara për të paraqitur kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi përgjegjës.

NËSE PËSON DËMTIME AKSIDENTALE NGA NJË MJET I PASIGURUAR PËRFITON DËMSHPËRBLIM?

Nëse demtoheni nga nje drejtues mjeti motorrik i pasiguruar me kontratën e sigurimit të detyrueshëm, ju perfitoni demshperblim nga Fondi i Kompensimit.

Fondi i kompensimit ka për qëllim pagesën e dëmeve ndaj pronës dhe ndaj personit, të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë për:

a) dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të pasiguruara dhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të paidentifikuara, përjashtuar rastet për të cilat i dëmtuari dëmshpërblehet drejtpërdrejt nga shoqëria e sigurimit;

b) pagesën e dëmshpërblimit ndaj pasagjerit në rastet kur pronari i një mjeti motorik në transportin publik nuk ka lidhur kontratë për sigurimin e pasagjerëve;

c) rastet e likuidimit apo falimentimit të shoqërisë së sigurimit.

CILAT JANË RASTET KUR DËMTOHEMI NGA NJË DREJTUES MJETI I PASIGURUAR DHE DËMSHPERBLEHEMI DREJTPËRDREJT NGA SHOQËRIA E SIGURIMIT?

Shoqëritë e sigurimit kryejnë funksionet e entit kompensues si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së tretë të dëmtuar për trajtimin dhe pagesën e dëmeve ndaj pronës apo ndaj personit të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë për:

a) dëmet ndaj pronës dhe/ose personit që ndodhet në mjetin motorik të siguruar, shkaktuar nga mjeti motorik i pasiguruar, si dhe/ose personave që ndodhen në mjetin motorik të pasiguruar;

b) dëme ndaj personit që ndodhet në mjetin motorik të siguruar, shkaktuar nga mjeti motorik i paidentifikuar.

KUJT DUHET TI DREJTOHEMI ME KËRKESË PËR DËMSHPËRBLIM NË RAST AKSIDENTI?

Pala e dëmtuar ka të drejtë që të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi përgjegjës i pronarit të mjetit shkaktar aksidenti. Kërkesa për dëmshpërblim mund të paraqitet me shkrim ose në rrugë elektronike.Kërkesa për dëmshpërblim përfshin dëmshpërblimin e dëmeve ndaj pronës dhe/ose ndaj personit sipas kontratës së sigurimit.

Siguruesi përgjegjës është i detyruar të trajtojë çdo kërkesë për dëmshpërblim brenda afateve të mëposhtme:

a) për dëme ndaj personit brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të kërkesës për dëmshpërblim;

b) për dëme ndaj pronës brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të kërkesës për dëmshpërblim

A KEMI DETYRIM PËR TA MBAJTUR GJITHMONË ME VETE POLICËN E SIGURIMIT TE DETYRUESHËM?

Pronari/përdoruesi i mjetit të transportit gjatë përdorimit të tij është i detyruar të mbajë me vete policën e sigurimit ose ndonjë provë tjetër të lidhjes së kontratës së sigurimit të detyrueshëm, si dhe Raportin Europian të Aksidenteve.

ÇFARË ËSHTË RAPORTI EUROPIAN I AKSIDENTEVE “REA”?

Drejtuesit e mjeteve të përfshirë në një aksident rrugor, për dëmet ndaj pronës te cilet ato vlerësojnë se janë deri në shumën 30,000 (tridhjetë mijë) lekë dhe nëse bien dakord, duhet të plotësojnë, të nënshkruajnë dhe të shkëmbejnë Raportin Europian të Aksidenteve. Vetëm nëse nuk bien dakord, duhet të njoftojnë policinë dhe marrin procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore.

Raporti i nënshkruar nga të dy drejtuesit e mjeteve nënkupton që ngjarja (aksidenti) ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular, përveç rastit kur vërtetohet ndryshe nga shoqëria e sigurimit.

Raporti i plotësuar dhe i nënshkruar i bashkëlidhet kërkesës për dëmshpërblim, e cila trajtohet dhe paguhet nga shoqëria e sigurimit brenda 14 ditëve nga kërkesa.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat