Rastet e vetëvrasjeve janë shtuar frikshëm gjatë javëve të fundit në vendin tonë.
Viti 2024 ka nisur 5 gra shqiptare i kanë dhënë fund jetës në mënyrë tragjike, shumica e tyre duke konsumuar fostoksinë.
Martesa të palumtura, shantazhet apo edhe debatet e një momenti kanë çuar disa gra drejt vetëvrasjes.
Rasti i fundit që tronditi vendin tonë është ai i 27-vjeçares Sibela Abedini, e cila vrau veten duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte me qira në Kamzë mbrëmjen e së shtunës (10 shkurt).
Sibela Abedini, nënë e një vajze 2-vjeçare i dha fund jetës, pasi tik-tokeri Altin Çoku publikoi në rrjete sociale një foto intime të 27-vjeçares nga dhoma e hotelit ku kishin qëndruar bashkë.
Ngjarja u raportua si vetëvrasje, ndërsa sot, dy ditë më pas Policia e Tiranës ka arritur të zbardhë atë dhe ka prangosur shtetasin Altin Çoku. Ky i fundit akuzohet se ka publikuar një foto të 27 vjeçares në rrjetet sociale.
Ai u arrestua sot nën akuzën “shkaktim vetëvrasje”.
Sipas nenit 99 të Kodit Penal: “Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në varësi apo nga personi me të cilin ka marrëdhënie familjare ose bashkëjetese, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”.
Por Altin Çoku ka mohuar që ai të ketë publikuar foton intime me Sibelën. Ai ka thënë se foto është publikuar nga një shok i tij. Në një bisedë live në Tik Tok me Cllevio Serbianon, Altin Çoku pretendon se foton intime me 27-vjeçaren nuk e ka publikuar ai, por një shok i tij.
Rastet e vetëvrasjeve javët e fundit në Shqipëri
Në 7 shkurt një grua 41-vjeçare ne Berat i dha fund jetës pas një debati në telefon me bashkëshortin, i cili jeton prej një viti në Greqi. Pasi ka pirë helmin, Shpresa Kreku ka telefonuar vëllain e saj dhe ia ka lënë amanet fëmijët e saj.
Më 2 shkurt po ashtu një 18-vjeçare nga Lushnja i dha fund jetës në lule të rinisë. Duke konsumuar fostoksinë. Ajo kishte vetëm 25 ditë që ishte fejuar dhe dyshohet se debatet me partnerin e çuan të renë drejt vetëvrasjes.
Një tjetër rast i vetëvrasjes me fostoksinë tronditi mbarë opinionin publik dhe flasim për rastin e Bedrie Lokës. 45-vjeçarja i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë për shkak të dhunës dhe presioneve nga bashkëshorti i saj. Për vdekjen e 41-vjeçares u arrestua bashkëshorti i saj Xhemal Loka.
Më 3 shkurt Fatbardha Pali në gjendje të rënduar psikologjike i dha fund jetës në Greqi. Nga shkrimet e publikuara në rrjetet sociale ajo bëri fajtor bashkëshortin e saj Ilir Palin, duke thënë se prej vitesh e tradhtonte dhe e dhunonte psikologjikisht.
Dhuna në rrjetet sociale, depresion deri në vetëflijim
Psikologët shprehen se bullizmi dhe ngacmimet në rrjetet sociale, shpesh kthehen në shqetësuese sa mund të bëhen edhe kërcënuese për jetën, e veçanërisht për të rinjtë.
“Përballja me këto lloj kërcënimesh me atë që ne e quajmë bullizmi nga rrjetet sociale e çon individin kundrejt pasojave psikologjike që fillon me përjetimin e ankthit, me një stres të tejzgjatur duke shkuar në forma depresive që shpeshherë bëhen objekt edhe i asaj që ne themi vetëdëmtimi i vetes që mos të përdor termin vetëvrasje përsa i takon mënyrës se si përdoren këto rrjete sociale në ditët e sotme se si keqpërdoren nga persona të cilët pa dashur dhe pakuptuar që janë duke i shkaktuar viktimës në këtë rast një dëmtim shumë të madh psikologjik.”
Sipas psikologëve shumë individe krijojnë varësi nga përdorimi i rrjeteve sociale, në të cilat ka përmbajtje dhune dhe antivlera.
Specialistët shprehen se nuk është ashpërsimi i ligjit ai që do frenojë këto fenomene, por ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i popullatës sidomos të rinjtë ka një rol tepër të rëndësishëm.