13.5 C
Tirana
Saturday, December 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTë ardhurat neto të bankave nga interesat rriten me 13.6% këtë vit

Të ardhurat neto të bankave nga interesat rriten me 13.6% këtë vit

Të ardhurat neto nga interesi të sektorit bankar janë rritur ndjeshëm gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti, duke dëshmuar përfitime nga rritja e shpejtë e normave të interesit në tregun financiar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorit të ardhurat neto nga interesi arritën në 38.5 miliardë lekë, në rritje me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë historike e të ardhurave neto nga interesat deri në fund të 9-mujorit.

Rritja e të ardhura neto nga interesi ka ardhur sepse në vlerë rritja e të ardhurave nga interesat (5.4 miliardë lekë) ka qenë më e madhe se rritja e shpenzimeve për interesa (0.9 miliardë lekë). Nga ana tjetër, edhe vazhdimi i rritjes me ritme dyshifrore të kredidhënies ka ndikuar gjithashtu pozitivisht në bilancin neto të sektorit bankar nga interesat.

Sidoqoftë, ndikimi i rritjes së normave të interesit është i qartë edhe në shpenzimet për interesa, kryesisht të depozitave. Për 9-mujorin, shpenzimet e bankave për interesa u rritën me 16.7%. Shpenzimet për interesa po rriten për herë të parë pas një dekade, duke reflektuar kthesën e shpejtë në kahun e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Megjithëse rritja e totalit të depozitave është ngadalësuar këtë vit, shpenzimet e bankave për interesa janë rritur ndjeshëm, çka tregon se efekti ka ardhur kryesisht nga rritja e normave të interesit.

Banak e Shqipërisë këtë vit ka rritur pesë herë normën bazë të interesit, duke e çuar në 2.75%, nga 0.5% që kishte qenë në muajin mars, kur nisi cikli normalizues. Ashtu siç pritej, faza e parë e rritjes së normave të interesit në tregun financiar ka pasur një ndikim pozitiv në të ardhurat neto nga interesi të sektorit bankar.

Për shkak të mënyrës si funksionin mekanizmi i transmetimit, rritja e interesave reflektohet së pari në krahun e aktiveve të sektorit. Tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikohet i pari nga lëvizjet e normës bazë të interesit. Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase.

Megjithatë, rritja e shpejtë e yield-eve të bonove dhe obligacioneve po krijon presione të forta dhe relativisht të shpejta edhe mbi interesat e depozitave. Tashmë, investitorët kanë tek këto instrumente një alternativë mjaft joshëse kundrejt depozitave bankare.

Në fakt, statistikat tregojnë se këtë vit investimet e individëve në bono dhe obligacione janë në rritje të fortë, ndërsa rritja e depozitave në lekë është ngadalësuar ndjeshëm (3.5% me bazë vjetore në fund të muajit shtator). Kjo tendencë ka bërë që bankat të lëvizin në drejtim të rritjes së normave të interesit të depozitave, çka ka rritur ndjeshëm edhe shpenzimet për interesa.

Me gjithë rritjen e të ardhurave neto nga interesi, të ardhurat totale të bankave për 9-mujorin e këtij viti, kanë pësuar një rënie të lehtë me 1% krahasuar me vitin e kaluar. Të paktën në raportimin financiar sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, efekti pozitiv i të ardhurave nga interesat është “anuluar” nga rënia e të ardhurave nga burimet e tjera dhe kryesisht përkeqësimi i rezultatit nga instrumentet financiare.

Për 9-mujorin, rezultati nga instrumentet financiare ishte negativ në vlerën e 5.7 miliardë lekëve, në përkeqësim të dukshëm nga 9-mujori 2021, kur bankat në këtë rezultonin me një fitim prej 1.3 miliardë lekësh. Përkeqësimi i këtij zëri ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së yield-eve në tregjet financiare, faktor që ka zhvlerësuar portofolin e titujve të mbajtur me vlerë të drejtë në bilancet e sektorit bankar./Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat