Qeveria ka publikuar strategjinë e shëndetësisë për 10 vite (2021-2030) dhe pesë politika kryesore të saj që do të financohen në kuadër të objektivave të vendosura. Në totalin e kostove peshën më të madhe prej 56 për qind do ta marrë politika e fuqizimit të sistemit të integruar shëndetësor. Politikat e tjera janë ato të investimit në shëndetin e popullatës gjatë ciklit të jetës, progresi drejt mbulimit uiniversal shëndetësor, fuqizimi i reagimit të sistemit ndaj emergjencave dhe shëndeti dixhital.
Një pjesë të rëndësishme të strategjisë duket se zë edhe situata e pandemisë COVID- 19 por që sipas tabelës së kostimit është bërë parashikimi për mbulimin e efekteve të pandemisë deri në vitin 2025 ndërsa plani i vaksinimit ka një parashikim deri në vitin 2023.
“Përllogaritja e kostove është bërë sipas viteve financiare. Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 është rreth 496.40 miliardë Lekë, ose rreth 4.036 miliard Euro. Kursi mesatar për referencë është përllogaritur me 123 lek për 1 euro.
Për periudhën afatmesme 2021-2024, kostoja është vlerësuar në 179.63 miliardë lekë, nga të cilat 171.6 miliardë lekë janë planifikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm, 4.47 miliardë lekë do të sigurohen nga financimi i huaj, ndërsa hendeku financiar është 7.93 miliardë lekë ose 4.41% e kostos indikative për këtë periudhë. Për vitin financiar 2021 është marr në konsideratë vetëm 1/6 e shpenzimeve të planifikuara.
Shpenzimet për sigurimin e vaksinave anti covid 2019 janë planifikuar deri në vitin 2023, ndërsa shpenzime të tjera që lidhen me pandeminë janë parashikuar deri në vitin 2025” thuhet në strategji.
Buxheti 2022, çfarë do të mbështesë dhe investimet kryesore
Në strategjinë e shëndetësisë është bërë një ndarje e detajuar e shpenzimeve sa i takon buxhetit të vitit 2022 që sapo është miratuar.
“Buxheti 2022, konsiderohet nga qeveria shqiptare, si buxheti i qytetarëve shqiptarë, i cili do të ketë në fokus mbulimin shëndetësor universal të popullatës dhe rritjen e mburojës sociale për shtresat në nevojë.
Me këtë buxhet do të arrihet të financohet programi kombëtar i vaksinimit dhe zbatimi i programit kombëtar të vaksinimit anticovid me financimin 2.7 miliard lekë të dedikuar për vaksinat anticovid.
Do të mbështetet plani i përgjigjies ndaj pandemisë duke siguruar mbështetjen e nevojshme në lidhje me strategjinë e testimit, gjurmimit, survejancës epidemiologjike, kujdesit shëndetësor në sistemin parësor dhe spitalor, barnat dhe materialet mjekësore për të gjitha strukturat spitalore.
Gjatë vitit 2022 parashikohet rritja e investimeve në sektorin e Shëndetësisë, ku do të financohen 3 miliard lekë.
Me buxhetin e vitit 2022, do të financohet për herë të parë paketa e kujdesit të syve për fëmijët e grupmoshës nga 4-14 vjeç si një program i ri i kujdesit universal falas për mbi 300 mijë fëmijë që do të sigurojnë konsultat e syve falas sipas protokolleve mjekësore.
Me buxhetin 2022 do të vijojë mbështetja e personelit mjekësor me rritjen e pagave në 6% brenda këtij viti dhe do të mbështeten 18 mijë mjekë dhe infermierë. Me buxhetin 2022, do të mundësohet edhe rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë duke financuar me rritje 10% të masës së ndihmës ekonomike për të gjithë familjet përfituese të skemës; dyfishimin e ndihmës ekonomike për familjet me më shumë se 3 fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe trefishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët me statusin e jetimit si dhe për gratë e trafikuara dhe të dhunuara.
Buxheti i vitit 2022 parashikohet të jetë 91 miliard e 365 milion lekë, i cili përbën 4,89% i PPB bruto ose 6.9 përqind krahasuar me buxhetin fillestar 2021.
Buxheti 2022 do të financojë për Shëndetësinë 63 miliard e 515 milion lekë që përbën 3,4% të PBB, ndërkohë për Mbrojtjen Sociale do të financohen 27 miliard 850 milion që përbenë 1.49% të PBB ose 4.89% të buxhetit të shtetit.
Me buxhetin e 2022 do të vazhdojnë dhe do të përfundojnë investimet e nisura në:
– Rikonstruksioni i Spitalit Infektiv
– Rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut
– Rikonstruksioni i 50 qendrave shëndetësore
– Përfundimi i fazës së pare të modernizimit të QSUT, nëpërmjet ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme
– Rikonstruksioni i Spitalit të Pediatrisë faza e dytë
– Modernizimi i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Gelardinë”
– Përfundimi i punimeve të fazës II-të të rikonstruksionit të spitalit rajonal Kukës
– Përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët
– Përfundimi i rikonstruksionit të Pediatrisë së Spitalit Rajonal Elbasan”
/Monitor