14 C
Tirana
Monday, October 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShtresa e mesme me pagë mbi 1200 euro në muaj?! Vetëm 5900...

Shtresa e mesme me pagë mbi 1200 euro në muaj?! Vetëm 5900 individë, ose 0.86% e totalit

Me ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat nga paga, qeveria shqiptare synon të zbusë disi barrën fiskale të të punësuarve në vend. Sipas shifrave të fundit në dispozicion, që i referohen këtij viti, në vendin tonë janë rreth 686 mijë të punësuar me pagë.

Me ndryshimet që pritet të hyjnë në fuqi, përfituesit nga zbutja e fashave të tatimit pritet të jenë rreth 135 mijë, pra, vetëm 19.6% e totalit, ose rreth 1 në 5 të punësuar.

Por, ajo që bie në sy nga relacioni i projektligjit për ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat, është fakti se qeveria shqiptare i referohet si shtresë e mesme kategorisë me paga mbi 150 mijë lekë në muaj (1200 euro)), pra fashës më të mirëpaguar.

Në kuadër të lehtësimit të shtresës së mesme të popullsisë, në këtë projektligj është parashikuar ndryshimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv”, thuhet shprehimisht në projektligjin e depozituar në kuvend nga Këshilli i Ministrave.

Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 5,900 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135 000 000 lekë për të gjithë tatimpaguesit”, vijon më tej relacioni.

Pra, sipas vetë qeverisë shqiptare, shtresa e mesme në vend, mes të punësuarve, përfaqësohet nga vetëm 5900 individë. Por, sa peshë zënë këta të punësuar mbi totalin? Vetëm 0.86%! Pra, individët me pagë nga 150 mijë lekë, deri në 200 mijë lekë në muaj, përbejnë më pak se 1% të rreth 686 mijë të punësuarve me pagë në vendin tonë.

Në rast se këtë llogari do ta bënim mbi totalin e të punësuarve në vendin tonë, sipas Instat, ku flitet për mbi 1.2 milionë individë, ku thuajse gjysma janë pa pagë, atëherë, kjo normë bie nën 0.5%. Sipas vetë qeverisë shqiptare, bazuar në relaionin e projektligjit të depozituar në kuvend, shtresa e mesme në vendin tonë nuk i kalon 1% të të punësuarve.

Po sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, të punësuarit me pagë minimale në vendin tonë, prej 30 mijë lekësh në muaj, janë afërsisht rreth 250 mijë, ose rreth 36% e totalit, pra më shumë se 1 në 3. Krahasuar me shtresën e mirëpaguar, atë së cilës qeveria shqiptare i referohet si shtresë e mesme, me paga nga 150 mijë lekë, deri në 200 mijë lek në muaj, diferenca është 42-fish.

/SCAN INTELLIGENCE UNIT

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat