Aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur në zonën e Cërrikut, ku humbën jetën dy persona dhe u shkatërruan plotësisht automjetet e përfshira përbën një ngjarje të dhimbshme.
Sigurime.Online së pari u shpreh ngushëllimet e ndjera të redaksisë secilës prej familjeve të prekura nga humbjet aksidentale të jetëve.
Pas çdo ngjarjeje tragjike lindin edhe shumë pyetje për të drejtat e familjeve të prekura dhe mënyrën se si funksionon sigurimi i detyrueshëm i automjeteve (TPL).
Sigurimi TPL nuk shërben vetëm për të riparuar automjetin e dëmtuar. Funksioni i tij është shumë më i gjerë. TPL mbulon përgjegjësinë civile të drejtuesit të mjetit që shkakton aksidentin ndaj personave të tretë që pësojnë dëme nga përdorimi i automjetit.
Në rastin fatkeq të Cërrikut mbetet për t’u parë nga hetimi i ngjarjes se cili është mjeti shkaktar, por për çdo rast, njera prej viktimave është në pozitën e pasagjerit e sipas të dhënave paraprake, për aq sa raportohet në media nga vendngjarja, nuk jemi në kushtet e përjashtimit të mbulimit nga TPL.
Çfarë mbulon sigurimi TPL?
Sipas Ligjit nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, sigurimi TPL mbulon:
- dëmet ndaj personave, përfshirë vdekjen, dëmtimet trupore dhe përkeqësimin e shëndetit;
- dëmet pasurore dhe jopasurore që rrjedhin nga këto pasoja;
- dëmet materiale ndaj pronës së palëve të treta;
- dëmet që u shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve dhe përdoruesve të mjeteve jomotorike.
Kjo do të thotë se në një aksident të rëndë si ai i Cërrikut, nëse përcaktohet një drejtues përgjegjës për ngjarjen, sigurimi TPL i mjetit të tij mund të dëmshpërblejë palët e treta të dëmtuara dhe familjarët përfitues, sipas rregullave dhe kufijve të përcaktuar në ligj.
Kush nuk përfiton nga TPL?
Një nga aspektet më pak të njohura të këtij sigurimi është se ai nuk mbulon dëmet e vetë drejtuesit që shkakton aksidentin.
Ligji përjashton nga përfitimi drejtuesin fajtor të mjetit, si edhe disa raste të tjera të veçanta, si kur automjeti drejtohet pa leje drejtimi, nën ndikimin e alkoolit ose lëndëve narkotike, përdoret në mënyrë të kundërligjshme ose dëmi shkaktohet me dashje.
Megjithatë, edhe në këto raste, të drejtat e palëve të treta nuk cenohen. Shoqëria e sigurimit dëmshpërblen viktimat, ndërsa më pas mund të kërkojë rimbursimin e shumës nga personi përgjegjës për aksidentin.
Çfarë duhet të bëjnë familjarët e të dëmtuarve?
Pas një aksidenti, pala e dëmtuar ose familjarët e saj duhet të njoftojnë sa më shpejt shoqërinë përgjegjëse të sigurimit dhe të paraqesin kërkesën për dëmshpërblim së bashku me dokumentacionin përkatës.
Për dëmet ndaj personit, shoqëria e sigurimit duhet të shqyrtojë kërkesën dhe të japë përgjigje brenda 90 ditëve kalendarike nga depozitimi i saj. Pas pranimit të dëmshpërblimit, pagesa kryhet brenda 14 ditëve.
Nëse pala e dëmtuar nuk është dakord me vendimin e siguruesit, ajo ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me padi civile.
Po nëse automjeti shkaktar është i pasiguruar?
Ligji parashikon mbrojtje edhe në raste të tilla. Kur automjeti shkaktar është i pasiguruar ose nuk identifikohet, pala e dëmtuar nuk mbetet pa mbrojtje ligjore, por mund t’i drejtohet mekanizmave të parashikuar nga legjislacioni për sigurimin e detyrueshëm, për të kërkuar dëmshpërblimin sipas procedurave në fuqi.
Një sigurim që mbron viktimat
Ngjarje të rënda si aksidenti në Cërrik tregojnë se sigurimi TPL nuk është thjesht një dokument i detyrueshëm për të qarkulluar me automjet. Ai është një mekanizëm mbrojtës për viktimat e aksidenteve rrugore dhe familjet e tyre, duke garantuar që dëmet ndaj jetës, shëndetit dhe pronës të kompensohen sipas ligjit.
Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet edhe kufiri i tij: TPL nuk është një sigurim për dëmet e vetë drejtuesit fajtor. Për mbrojtjen financiare të drejtuesit dhe pasagjerëve nevojiten produkte të tjera sigurimi, ndërsa TPL mbetet garancia ligjore që synon të mbrojë personat e tretë të prekur nga një aksident rrugor.




