16.5 C
Tirana
Thursday, April 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShqipëria rreth 1 mijë zjarrfikës/ Fluks 21 herë më të lartë se...

Shqipëria rreth 1 mijë zjarrfikës/ Fluks 21 herë më të lartë se kolegët e tyre në BE

Çdo vit me ardhjen e temperaturave përvëluese, Shqipëria “pushtohet” nga flakët, nga veriu në jug të vendit. Përveç kërcënimit të drejtpërdrejtë në jetë njerëzish, zjarret përfaqësojnë edhe një faturë direkte për ekonominë e vendit dhe për mijëra biznese.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare, si ai i “World Risk Index” e klasifikojnë Shqipërine mes vendeve më të rrezikuara dhe mes atyre me kapacitetet më të ulta për të përballuar katastrofat natyrore.

LEXO EDHE19 vende në Evropë në rrezik ekstrem nga zjarret, mes tyre edhe Shqipëria

“Scan Intel” është fokusuar në një analizë mbi zjarrëfikësit, kapacitetet tona në këtë drejtim dhe krahasimin me Europën.

Në Shqipëri ka rreth 1 mijë zjarrfikës gjithsej, ose më saktë 1067 të tillë. Kjo shifër del në pah nga baza e të dhënave mbi pagat, e rrjedhur pak kohë më parë në publik dhe që i referohet muajit prill të vitit të kaluar.

Sipas Ministrisë së Brendshme ndërkohë, shërbimi zjarrfikës në vend numëron rreth 1250 punonjës, por jo të gjithë janë zjarrfikës, çka të çon sërish te shifra pranë 1 mijë.

Në të gjjithë Bashkimin Europian numërohen rreth 365 mijë zjarrfikës operativ, ose 0.2% e të punësuarve gjithsej.

Po në Shqipëri sa është kjo normë? Vetëm 0.15%!

Norma i referohet raportit mbi totalin e të punësuarve me pagë në vendin tonë, që sipas Institutit të Statistikave fiksohet në rreth 703 mijë. Në rast se këtë përllogaritje do ta bënim mbi totalin e të punësuarve gjithsej, ku klasifikohen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, atëherë norma do të zbriste në vetëm 0.08%, pra më shumë se dy herë më e ulët se norma në Bashkimin Europian.

Ndërkohë që zyrtarisht nga institucionet shqiptare nuk ka asnjë statistikë zyrtare në lidhje me sipërfaqet e djegura nga zjarret në vendin tonë, programi “Copernicus” i Sistemit të Informacionit Europian për Zjarret e Pyjeve (EFFIS), tregon se përgjatë të gjithë vitit të kaluar, në vendin tonë janë djegur plot 31,275 hektarë pyje.

Në rast se do të bënim një raport të thjeshtë përmbi numrin e zjarrfikësve në Shqipëri, atëherë rezultojnë 29.3 hektarë, ose 293 mijë metra katrorë sipërfaqe të djegura për një zjarrfikës.

Në Bashkimin Europian ndërkohë kjo normë fiksohet në vetëm 1.37 hektarë për zjarrfikës, ose 21.4 herë më e ulët se në vendin tonë.

Në union gjatë 2021-shit raportohen rreth 500 mijë hektarë pyje të djegura, në 22 shtete, për 365 mijë zjarrfikës.

Zjarrfikësit në Shqipëri me paga të ulëta

Për kryetarin e Sindikatës së Zjarrfikësve në Shqipëri, Bledar Bajramaj, është absurde gjendja në të cilën ndodhen zjarrfikësit. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ai deklaroi se përveç mungesës së kushteve dhe pajisjeve për punë, zjarrfikësit shqiptarë i kanë edhe pagat të ulëta.

Paga bazë e një punonjësi zjarrfikës në Shqipëri është 36 mijë lekë (298 euro), ndërkohë sipas të dhënave në Kosovë një zjarrfikës i nivelit bazë paguhet 399 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 416 euro.

Bajramaj shtoi se në disa rrethe, kushtet e zjarrfikësve janë “skandaloze, si kushte pune dhe kushte qëndrimi”.

Mjafton të marrim në konsideratë faktin që akoma në rrethe ka mjete zjarrfikëse të para 40 apo 50 vjetëve. Në shumë bashki të vendit, në raste aksidentesh që duhet t’u vijnë në ndihmë qytetarëve, nuk i kanë pajisjet

Edhe pse kjo analizë fokusohet vetëm te burimet njerëzore dhe jo infrastruktura në tërësi, si makineritë, pajisjet apo investimet, shifrat tregojnë qartë se diferencat me Europën janë të mëdha, pavarësisht faktit se Shqipëria është në hartën e kuqe të rrezikut nga zjarret në Europë dhe çdo vit, gjatë sezonit të verës raporton dhjetra vatra aktive zjarri njëkohësisht. Pamjet të cilat bëhen virale çdo vit ku, tregojnë anëtarët e forcave të mbrojtjes apo banorët e zonave të prekura të cilët luftojnë me flakët pa asnjë masë mbrojtëse apo pajisje marrin sens pikërisht nga këto shifra.

LEXO EDHEZjarret/ REL: Shqipëria pa mjetet e duhura për t’iu përgjigjur emergjencave civile

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat