25.5 C
Tirana
Wednesday, May 1, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRisitë/ Hyn në fuqi Kodi i ri Rrugor i Kosovës, gjoba deri...

Risitë/ Hyn në fuqi Kodi i ri Rrugor i Kosovës, gjoba deri në 6,000 Euro

Nga dita e djeshme hyri në fuqi Kodi i ri Rrugor i Kosovës, i cili parasheh masa dhe gjoba të ashpra për shkelësit e rregullave të qarkullimit.

Gjobat që parashihen me ligjin e ri janë nga 20 euro deri në 6,000 euro për ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, nuk respektojnë semaforin, nuk vendosin rripin e sigurisë.

Gjoba parashikohen edhe për këmbësorët që nuk kalojnë në kalimin e dedikuar për ta, ndërkaq është rregulluar edhe çështja e përdorimit të skuterave elektrikë.

Më poshtë mund të gjeni risitë në ligj:

Neni 18

Shenjat ndriçuese të trafikut

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 150 euro, shoferi i cili nuk ndalet në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej 3 muajsh, si dhe 3 pikë negative. Identifikimi dhe dëshmia bëhen përmes pajisjes apo aparatit përkatës, si dhe nga persona të autorizuar.

Këmbësori i cili nuk ndalet në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 50 euro.

Neni 21

Pajisjet dhe pajimet për shënim të rrugëve

  1. Skajet e rrugës shënohen me sinjale drite dhe materie retroreflektuese, ndërsa kufizuesit e rrugës shënohen me elemente të pajisura me materie reflektuese dhe me shtylla ndriçuese.
  2. Kufizuesit e rrugës të cilët janë të vendosur në rrugë nga ana e djathtë në drejtim të lëvizjes janë me ngjyrë të kuqe, ndërsa në anën e majtë me ngjyrë të bardhë.
  3. Nëse kulmet e ishujve të këmbësorëve, ishujt për orientim të trafikut dhe objektet e tjera në rrugë, nuk janë të dukshme natën sa duhet, ato duhet të shënohen me drita, me materie retroreflektuese ose me materie reflektuese me ngjyrë të verdhë.
  4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 2000 deri në 6000 euro, personi i cili është përgjegjës për vendosjen ose mirëmbajtjen e kulmeve të ishujve të këmbësorëve, të ishujve për orientimin të trafikut ose të objekteve të tjera në rrugë, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë nen.

Neni 52

Shpejtësia e lëvizjes brenda vendbanimeve

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 500 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi mbi 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej 1 viti, si dhe i shqiptohen 5 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 400 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 70 km/h deri në 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik 9 muaj si dhe i shqiptohen 4 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 300 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 50 km/h deri në 70 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik 6 muaj, si dhe i shqiptohen 3 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 200 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 30 km/h deri në 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik 3 muaj, si dhe i shqiptohen 3 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 60 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 20 km/h deri në 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 10 km/h deri në 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 20 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 5 km/h deri në 10 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Neni 143

Kalimi i rrugës nga ana e këmbësorëve

Këmbësori gjatë kalimit të rrugës obligohet që të ketë kujdes të posaçëm dhe gjithherë ta shfrytëzojë vendkalimin e këmbësorëve atëherë kur ai ekziston.

Këmbësori është i detyruar ta kalojë rrugën qarkulluese, shiritin ose shtegun për biçikleta me kujdes të veçantë duke kaluar rrugës më të shkurtër dhe duke u vërtetuar para se ta fillojë kalimin e rrugës se këtë mund ta bëjë në mënyrë të sigurt.

Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 50 euro, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni

Neni 188

Përdorimi i rripit të sigurisë

  1. Në automjetin për udhëtarë/veturë dhe në mjetin transportues shoferi dhe të gjithë personat të cilët gjenden në mjet duhet t’i përdorin rripat e sigurisë, siç e parasheh prodhuesi i atij automjeti.
  2. Nëse personi i mitur i cili transportohet në mjet nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësia bie mbi shoferin e mjetit, ndërsa nëse personi i moshës madhore nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësinë për këtë e mban vetë personi.
  3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 150 euro, shoferi i cili bart persona të mitur, respektivisht personi i moshës madhore, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Neni 189

Bartja e personave/fëmijëve në mjet

Personi nën moshën 12 vjeç, si dhe personi që nuk është i aftë të kontrollojë veprimet e veta, nuk mund të bartet në mjetin rrugor në ulësen e përparme, ndërsa pavarësisht moshës në asnjë rrethane nuk guxon te bartet asnjë person ne prehrin e shoferit në timon gjatë drejtimit të mjetit.

Personi më i shkurt nën 135 cm mund të bartet i lidhur me rrip në ulësen e sigurisë përkatëse për fëmijë, e cila është instaluar në automjet në përputhje me deklaratën e prodhuesit të mjetit, gjegjësisht prodhuesit të ulëses së sigurisë, përveç në automjetet për transport publik të udhëtarëve.

Nëse fëmijët janë nën për kujdesin e personit të moshës madhore që nuk është i ulur në ulëset e përparme të mjetit, përkatësisht nëse mbahet në prehër apo në duar të këtij personi, lirohet nga detyrimi për ta përdorur ulësen e sigurisë për fëmijë.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 400 euro, shoferi i mjetit i cili gjatë drejtimit të mjetit, mban të ulur në prehrin e tij në timon ndonjë person tjetër. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej 6 muaj, si dhe 5 pikë negative.

Neni 230

Mbrojtja e ambientit

  1. Shoferit dhe pjesëmarrësve tjerë nuk iu lejohet të hedhin në rrugë ose pranë rruge materie, mbeturina e gjësende e të ngjashme nga mjeti i ndalur apo në lëvizje me të cilat rrezikohet jeta dhe shëndeti i njerëzve e i kafshëve, dëmtohen bimët ose ndotet ambienti.

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 200 euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 5. këtij neni.

Neni 231

Kushtet për drejtimin e mjetit

  1. Shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit.

Shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4 të këtij neni:

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 100 euro shoferi i cili për herë të parë vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4 të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe një (1) pikë negative;

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 200 euro, shoferi i cili për herë të dytë vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4 të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej 3 muaj, si dhe 2 pikë negative;

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 500 euro, shoferi i cili përsërit kundërvajtjen e njëjtë më shumë se 2 herë në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4. të këtij neni. Përveç gjobës, atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të

Neni 246

Masa mbrojtëse për patentë shoferi

  1. Personit që e drejton mjetin me veprim motorik pa e fituar të drejtën për drejtim të mjetit (pa patentë shofer te vlefshëm) ose pa patentë shoferi të kategorisë përkatëse, i merret e drejta që t’i nënshtrohet provimit për patentë shoferi për cilëndo kategori 1 vit nga data e shqiptimit të vendimit të plotfuqishëm.
  2. Shoferit të cilit i është marrë patenta e shoferit ose që është larguar nga trafiku rrugor sipas këtij ligji, ose ndaj të cilit është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, nuk i lejohet gjatë asaj kohe ta drejtojë mjetin në trafikun rrugor.
  3. Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 500 deri në 1500 euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni.
  4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 500 deri në 1500 euro, edhe personi juridik ose institucioni në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni.
  5. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 500 euro, masa mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik prej 6 muaj, si dhe 5 pikë negative, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 2. të këtij neni.

Me këtë ligj po ashtu parashihen gjoba për ata që gjatë drejtimit të trotinetëve e mjeteve tjera nuk përdorin helmetë.

Neni 127

Rregullat e trafikut për trotinet elektrik

  1. Shoferi i trotinetit elektrik gjatë drejtimit duhet ta shfrytëzojë shiritin për biçikleta ose shtegun e përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë.
  2. Shoferi i trotinetit gjatë shfrytëzimit të shtegut të përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë duhet të ketë kujdes të veçantë dhe t’u japë përparësi këmbësorëve.
  3. Kur nuk ekziston shtegu apo shiriti për biçikleta ose shtegu i përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë, shoferi duhet ta shfrytëzojë bankinën dhe nëse kjo nuk është e mundshme, ta shfrytëzojë shiritin e djathtë të trafikut, duke lëvizur sa ma afër skajit të djathtë në distancë deri në 1 metër.
  4. Ndalohet lëvizja në trotuare dhe sipërfaqet tjera të parapara ekskluzivisht për lëvizjen e këmbësorëve sheshe, zonat e këmbësorëve dhe ngjashëm.
  5. Shpejtësia maksimale e lejuar në rrugën qarkulluese dhe në shiritin për biçikleta është 25 km/h.
  6. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 euro shoferi i cili vepron në kundërshtim me paragrafët 1. 2 dhe 3 të këtij neni.
  7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 150 euro dhe i konfiskohet mjeti në kohëzgjatje 3 muaj shoferi i cili vepron në kundërshtim me paragrafët 4. dhe 5 të këtij neni.

Neni 128

Mosha e shoferit të trotinetit

  1. Fëmijës më të ri se 16 vjeç nuk i lejohet ta drejtojë trotinetin elektrik në rrugë publike.
  2. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 euro prindi apo kujdestari nëse shoferi vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.
  3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 500 euro qiradhënësi i trotinetit elektrik nëse vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Neni 129

Detyrimet e shoferit të trotinetit

Shoferi gjatë ngasjes së trotinetit elektrik duhet ta ketë të ndezur një dritë ngjyrë të bardhë në pjesën e përparme dhe një dritë ngjyrë të kuqe, katadiopter me materie retroreflektuese në pjesën e pasme gjatë drejtimit natën dhe gjatë drejtimit ditën kur dukshmëria është e dobësuar/ zvogëluar.

Kur shoferi e drejton trotinetin në rrugë publike gjatë dukshmërisë së dobësuar/zvogëluar, ai është i detyruar të ketë jelek reflektues, rroba reflektuese për trotinet apo ndonjë burim drite.

Përveç shoferit, nuk lejohet të transportohen persona tjerë apo kafshë në trotinet elektrik.

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 40 euro shoferi i trotinetit elektrik, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 1. ose 2. të këtij neni.

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 100 euro dhe i konfiskohet mjeti në kohëzgjatje për 3 muaj shoferi i cili vepron në kundërshtim me paragrafin 3 të këtij neni.

Neni 130

Kufizimi i drejtimit për trotinet elektrik

  1. Personit i cili drejton trotinetin elektrik, i ndalohet:

1.1. të drejtojë pa e mbajtur timonin me dy duar, përveç në raste kur jep shenjë me dorë;

1.2 të mbahet ose të tërhiqet nga mjete të tjera;

1.3 ta lëvizë mjetin krahas mjetit tjetër;

1.4 të bartë çfarëdo ngarkese nëse kështu pengohen apo rrezikohen pjesëmarrësit e tjerë në trafik;

1.5 të përdorë dëgjuese të pajisjeve audio, duke i vendosur në dy veshët;

1.6 të manovrojë me një rrotë.

  1. Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 40 euro, personi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.
spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat