9.5 C
Tirana
Friday, April 26, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetObjektet pa leje, të konfiskuara/ Projektligji: Shteti mund t’i shesë në ankand

Objektet pa leje, të konfiskuara/ Projektligji: Shteti mund t’i shesë në ankand

Pas nisjes së një fushate konfiskimi për objekte që nuk kishin respektuar lejen e dhënë tashmë qeveria ka bërë gati një draft për të përcaktuar mënyrën sesi do të veprohet me to.

Projektligji parashikon procedurën që do të nisë nga fillimi që ka të bëjë me vlerësimin e objekteve hartimin e planeve të dedikuara se për çfarë mund të përdoren ato.

“Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, merr në dorëzim/ regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiksuara, deri në momentin e marrjes në dorëzim nga njësia zbatuese e përcaktuar me vendim të Komisionit. Pas marrjes së një prezantimi të të dhënave identifikuese të objektit dhe vendndodhjes së tij nga Ministria përgjegjëse për pronën shtetërore dhe pas njohjes me nevojat/kërkesat e institucioneve apo enteve publike, interesave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, Komisioni vendos mbi: a) destinacionin e objektit/objekteve apo pjesëve takuese të konfiskuara; b) Njësinë e zbatimit” thuhet në projektvendim.

I njëjti nënvizon se me marrjen e vendimit të Komisionit mbi destinacionin e përdorimit të objektit të konfiskuar, njësia e zbatimit kryen vlerësimin e përshtatjes së objektit dhe përcakton nevojat teknike, urbane e financiare dhe proceduriale të realizimit të përshtatjes si dhe propozon tipologjinë e programit të zhvillimit të përshtatshëm në rastin konkret si dhe harton masat përkatëse të programit të zhvillimit i cili pas marrjes së mendimit të autoriteteve publike të përfshira i propozohet për miratim Komisionit.

Objektet mund të shiten në ankand

Në nenin 20 thuhet se një tjetër opsion për objektet e konfiskuara është shitja në ankand e tyre.

“Komisioni në funksion të mirëadministrimit të objekteve të konfiskuara apo në përmbushjen më të lartë të interesit publik mund të vendosi miratimin e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara.

Format e programit të shitjes janë: i) ankandi publik i cili kryhet në zbatim të rregullave të kuadrit ligjor mbi ankandin publik mbështetur në dokumentacionin e parashikuar në këtë nen.

(i) kalimi në favor të subjekteve që kanë të drejtën e parablerjes në kuptim të këtij ligji, me vlerën e tregut, mbështetur në dokumentacionin e parashikuar në këtë nen” thuhet në projektvendim.

Sipas pikës 4 të këtij neni tridhjetë ditë përpara fillimit të procedurave të shitjes së objekteve të konfiskuara nëpërmjet ankandit, Ministria përgjegjëse për pronën shtetërore njofton subjektet që kanë të drejtën e parablerjes në kuptim të këtij ligji në lidhjen me ushtrimin e të drejtës së parablerjes.

Lidhja e kontratës në përfundim të procedurës së shitjes së objekteve të konfiskuara në kuadër të të dyja formave të programit, kryhet pas njoftimit të subjektit fitues për kryerjen e pagesës së vlerës së objektit që duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi. Kontrata e shitjes lidhet vetëm pasi provohet kryerja e pagesës nga ana e subjektit.

Fondet e përfituara nga shitja konfiskuara kalojnë në fondin e veçantë të objekteve të konfiskuara dhe përdorën me vendim të Komisionit

Metodologjia e vlerësimit

Projektvendimi parashikon vlerësimin e pronave të cilin e bëjnë ekspertët e tregut. Sipas pikës dy të nenit 22 vlerësimi i objekteve të konfiskuara bëhet nga ekspertët e vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Ekspertët e vlerësimit mbajnë përgjegjësi për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tyre (genplane, situacione, aktvlerësime etj.). Afati i vlerësimit duhet të jetë jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë, nga data e daljes së urdhrit për vlerësimit nga titullari.

Pronarët e truallit

Një nen i veçantë në projektvendim përcakton marrëdhënien e re që ndërtohet me kushtet e konfiskimit me pronarët e truallit mbi të cilin është ngritur objekti.

Kështu në nenin 23 thuhet se pronarët e truallit nuk kanë të drejta mbi pjesën e objektit të ndërtuar në tejkalim të lejes. Për pjesën e objektit të ndërtuar në kushtet e lejes njësia e Zbatimit njeh pjesët takuese të bashkëpronësisë sipas kontratës së sipërmarrjes të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në agjencinë përgjegjëse për kadastrën përpara vendimit të konfiskimit.

Njësia e Zbatimit nuk merr përsipër detyrimet e tjera që lindin nga kontrata e sipërmarrjes, apo çdo aktmarrëveshje e lidhur midis pronarëve të truallit dhe zhvilluesit/ndërtuesit përpara kohës së konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim/ndërtim.

Ndërkohë pronaret e truallit dhe Njësia e Zbatimit lidhin kontratë të veçantë bashkëzhvillimi/bashkëpunimi në ndërtim sipas modelit të miratuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për drejtësinë dhe ministrit përgjegjës për pronën shtetërore me qëllim rregullimin e marrëdhënieve mes tyre në situatën e re të krijuar nga paligjshmëria në zhvillimin e pronës.

“Nëse pronarët nuk pranojnë të lidhin kontratën sipas pikës 2 apo nuk zbatojnë kontratën sipas kushteve të përcaktuara, brenda 60 ditëve nga njoftimi, Njësia e Zbatimit aplikon për marrjen e lejes së re të ndërtimit /përdorimit duke paraqitur kopje të kontratës me pronarët e truallit apo njoftimin e tyre 45 ditë më parë se të paraqitet aplikimi;

Në kushtet e pamundësisë së identifikimit, mosmarrëveshjes midis subjekteve të cilët pretendojnë të gëzojnë të drejtat e pronarit të truallit, apo në kushtet e pamundësisë së komunikimit me pronarët e truallit, Njësia e Zbatimit merr të gjitha masat për përfundimin/ përshtatjen e objektit duke paraqitur pranë autoriteteve publike gjendjen e pamundësisë së identifikimit/komunikimit/mosmarrëveshjeve mes pronarëve të truallit. Me identifikimin/ vënien e komunikimit /zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me pronarët e truallit, zbatohen parashikimet e pikave 1 dhe 2 të këtij neni.

Pronarët e truallit kanë të drejtën të marrin pjesë në programin e shitjes së objekteve të konfikuara në cilësinë e subjekteve me të drejtë parablerje në kushtet e parashikuara në këtë ligj” thuhet në projektvendim.

Drafti parashikon gjithashtu disa përjashtime fiskale për objektet e konfiskuara ku në nenin 30 thuhet se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë, autoriteti përfitues i konfiskimit i autorizuar nga Ministria, FSHZH apo njësia zbatuese e përcaktuar nga Komisioni përjashtohen nga të gjitha tarifat e aplikimit për leje zhvillimi dhe ndërtimi, nga polica e sigurimit, pagesat për shërbimet kadastrale si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për marrjen e lejeve të ndërtimit sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij”. /Monitor 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat