6.5 C
Tirana
Saturday, April 20, 2024
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiNga e luksit për qentë te ajo e gjakut/ Taksat e pazakonta...

Nga e luksit për qentë te ajo e gjakut/ Taksat e pazakonta në Shqipërinë e viteve ’20

Deri në mesin e viteve ’20, në Shqipëri taksat paguheshin kryesisht me mall, në mungesë edhe të një monedhe zyrtare. Me krijimin e bankës kombëtare dhe emetimin e monedhës shqiptare, në vend nis të ‘konvertohet’ pagesa e taksave me para dhe jo më mall si më përpara.

Në këto vite nis të aplikohet në vend një legjislacion fiskal, i ngjashëm me atë të vendeve europiane, duke u bazuar kryesisht në modelin italian dhe atë francez.

Inspektori i Ministrisë së Brendshme, Teki Selenica i përmblodhi të gjitha ligjet dhe i botoi në vitin 1928, sëbashku me shpjegimet përkatëse, me qëllim lehtësimin e punës për nëpunësit dhe tregtarët. Libri “Bashkitë e Shqipërisë, si duhet të rregullojnë veprimin e tyre” iu shpërnda të gjithë bashkive të vendit.

Në këto vite, bashkitë i siguronin të ardhurat nga 40 lloje taksash e tarifash.

Në mesin e këtyre taksave, ishin dhe disa që për ditët e sotme mund të konsiderohen si ‘të pazakonta’.

Taksa e luksit për qentë

Per qentë që mbaheshin për luks, paguhej një taksë 10 franga ari në vit. Për qentë e gjuetisë mbahej taksë 5 franga ari. Nga kjo taksë përjashtoheshin qentë e rojeve dhe të çobanëve. Çdo vit bëhej regjistrimi i qenve që mbaheshin për luks dhe bëhej një raport nga nëpunësit e posaçëm të bashkisë.

Taksa e regjistrimit të garsonave

Në ligjin për financat e bashkive, neni 36, parashikohej që bashkitë të merrnin taksën e shegertëve (çirak)  e garsonëve (kamarierëve) në fillimin e çdo muaji.

Bashkia një muaj para se të fillonte viti i ri bënte shpalljen dhe lajmëronte të gjithë shegertët e kamarierët që të prezantoheshin në bashki ku të regjistroheshin.

Pastaj përgatitej një regjistër ku shënohej emri dhe mbiemri i shegertit, mosha, vendi i lindjes dhe emri e mbiemri i zotërisë ku shërbente. Taksa varionte nga 1-5 franga ari. Kur paguhej taksa, bashkia lëshonte një librezë të veçantë. Nëse autoritetet kontrollonin lokalet dhe gjenin një shërbyes pa librezë, i ndalonte ata dhe i vendoste gjobë.  Policët bashkiakë dhe atë qeveritarë kishin të drejtë në çdo kohë që të kërkonin librezën.

Taksa për trotuarët që rregulloheshin nga bashkia

Në ligjin për financat e bashkive parashikohej detyrimi që pronarët e ndërtesave ose trojeve që ndodheshin përbri trotuareve, të paguanin gjysmën e shpenzimeve. Taksa merrej në këtë mënyrë. Kur rregullohej një trotuar, nëpunësit teknikë të bashkisë përgatisnin një regjistër me emrin dhe mbiemrin e atyre që kishin truallin apo godinën dhe mbi bazën e fasadës që kishin përballë trotuarit të rregulluar, caktohej edhe detyrimi që duhej paguar.

Taksa 5 % mbi shpenzimet ndër hotele

Të gjithë hotelet, për çdo klient, detyroheshin të paguanin një tarifë 5 % të shpenzimeve totale që klienti kishte bërë.

Taksa e gjakut

Ishte një taksë që paguhej për çdo therje bagëtie.

Taksa varionte nga 1 deri në 5 franga ari për çdo kre të therur në ambientet e posaçme të krijuara nga bashkia për këtë qëllim.

Për kurbatë që thereshin për Bajram, Krishtlindje apo Pashkë, nuk paguhej taksë gjaku.

Taksa e ndriçimit

Taksa e ndriçimit merrej në bazë të gjysmës së taksës së pastrimit dhe kjo taksë merrej vetëm në ato godina që ndodheshin në rrugët e ndriçuara nga bashkia.

Taksa e tabelës

Të gjitha dyqanet ishin të detyruar që të varnin tabelë në gjuhën shqipe para derës së tyre e cila duhej të përbante emrin e pronarit dhe llojin e punës. Për tabelat, merrej një taksë 1-10 franga ari në vit në varësi të rrugës në të cilën ndodhej. Ata që dëshironin që të shkruanin edhe në një gjuhë të huaj tabelën, paguanin dyfishin e taksës që paguhej për tabelën shqip.

Kreshnik Kuçaj/SCAN

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat