18.5 C
Tirana
Thursday, May 2, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetLigji "për fondet e pensionit privat”/ Të enjten pritet votimi në Parlament....

Ligji “për fondet e pensionit privat”/ Të enjten pritet votimi në Parlament. Shtohen lehtësitë fiskale

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë në seancën plenare të ditës së enjte ligjin e ri “Për fondet e pensionit privat”.

Votimi i ligjit të ri do të finalizojë një proces të gjatë konsultimesh që zgjati afërsisht një vit e gjysmë, i cili pritet të sjellë një ligj të përditësuar për pensionet private në Shqipëri, duke zëvendësuar ligjin aktual, që hyri në fuqi në fillim të viti 2010.

Ligji i ri do të sjellë rritje të ndjeshme të lehtësive fiskale për kontributet në fonde private të pensioneve.

Aktualisht kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200,000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40,000 lekë në muaj.

Duke qenë se përjashtimi nga taksat lidhet me nivelin e pagës minimale, pritet që ky stimul të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme.

Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480,000 lekë në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200,000 lekësh.

Projektligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.

Ligji sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur.

Fondi i këtij lloji mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit.

Pavarësisht kësaj, shoqëritë administruese të fondeve kanë kërkuar më shumë incentiva. Ato kërkojnë përjashtimin e plotë të përfitimit nga pensioni privat prej tatimit, duke përfshirë edhe edhe pjesën e kthimit nga investimi.

Gjithashtu, shoqëritë kërkojnë kufizime më të forta në tërheqjen e parakohshme të kontributeve, duke qenë se skemat private kanë si qëllim të sigurojnë të ardhura në moshë pensioni dhe nuk duhen kuptuar si formë kursimi që mund të tërhiqet në çdo kohë.

LEXO EDHE: “Të hiqet tatimi 15% mbi pensionet private”/ Hasa: Paralizon tregun dhe dekurajon qytetarët

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve në fondet e pensionit privat në tremujorin e parë të vitit arriti në 37 060 anëtarë.

Në tremujorin e parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve është zgjeruar me 1.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja e numrit të anëtarëve ka arritur në 7.2%.

Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme, por mbi një bazë të ulët dhe depërtimi i këtyre skemave ngelet ende i vogël.

Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat ngelet në afërsisht 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.

Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 5.97 miliardë lekë, në rritje me 4.7% që nga fillimi i vitit dhe me 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

LEXO EDHE: Numri i anëtarëve në fondet private të pensionit arrin në mbi 37 mijë, SIGAL UNIQA Fond Pensioni ruan lidershipin në treg

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat