21.5 C
Tirana
Thursday, May 2, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKëto janë kostot ekonomike dhe njerëzore të fatkeqësive natyrore

Këto janë kostot ekonomike dhe njerëzore të fatkeqësive natyrore

World Economic Forum –

Ndryshimi i klimës nënkupton se shpeshtësia, ashpërsia dhe paparashikueshmëria e ngjarjeve ekstreme të motit sa vjen e po shtohet.

Studiuesit në Barclays Corporate and Investment Bank kanë bërë një analizë të thellë të kostove dhe shpeshtësisë së ngjarjeve ekstreme të motit, dhe çfarë nënkuptojnë ato për njerëzit dhe bizneset në mbarë botën.

Analistët e Barclays parashikojnë se kostoja e ngjarjeve ekstreme të motit gati mund të dyfishohet këtë dekadë, dhe kjo gjë do të sillte pasoja serioze për industritë, ekonomitë dhe politikëbërësit në shkallë globale.

Nga viti 1970 deri në vitin 2019, numri i ngjarjeve vjetore ekstreme të motit është rritur me pesë herë, pavarësisht se ka pasur një rënie të lehtë të tyre midis viteve 2000 dhe 2010, sipas të dhënave nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Por, këto ngjarje nuk po bëhen thjesht më të shpeshta ato po bëhen edhe shumë më të vështira për t’u parashikuar.

LEXO EDHE: Rreziku i shtuar/ Fatkeqësitë natyrore zhvendosën 3.3 milionë amerikanë vitin e kaluar. Shqipëria në “rreth të kuq”

Kostot njerëzore dhe ekonomike të motit ekstrem

Përmbytjet e korrikut të vitit 2021 në Gjermani, Belgjikë, Luksemburg dhe Holandë shkaktuan rreth 43 miliardë dollarë dëme dhe rreth 200 viktima. Niveli i përmbytjeve dhe dëmeve të shkaktuara ishte i paprecedentë për këtë rajon të veçantë.

Nivelet anormale të larta të ujit në lumenj, të cilat vijnë gjithashtu si pasojë e ndryshimeve klimatike, përkeqësuan ndikimin e reshjeve të cilat ishin më të shpeshta se në situatë normale.

Në Sudan, në vitin 2020, më shumë se 700,000 njerëz u zhvendosën si pasojë e stuhive më të fuqishme që nga viti 1962.

Përmbytjet në provincën Henan të Kinës Qendrore u morën jetën dhjetëra njerëzve dhe zhvendosën më shumë se 250,000 të tjerë, duke ndërprerë gjithashtu ndjeshëm edhe aktivitetin ekonomik.

Megjithëse numri i ngjarjeve u zvogëlua në rang global gjatë vitit 2021, Amerika e Veriut përsëri pati një rritje si në frekuencën e këtyre ngjarjeve, ashtu edhe në ashpërsinë e tyre.

Veçanërisht, stuhia e dimrit që preku Teksasin dhe Meksikën veriore, si dhe vala e të nxehtit të verës në Paqësorin Veriperëndimor, tregojnë gjithashtu se sa rastësore po bëhen vendndodhjet e këtyre ngjarjeve.

Njësoj si me ngjarjet në Europë dhe Azi, tre uraganet që arritën deri në tokë në verilindje të SHBA-së – Elsa, Henri dhe Ida – u përkeqësuan nga reshjet në nivele pothuajse rekord dhe rezultuan në nivele të larta të ujit në Bregun Lindor përgjatë verës së vitit 2021.

Aktiviteti njerëzor, rritja e temperaturave dhe moti ekstrem

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike ka arritur në përfundimin se është një “fakt i vërtetuar” që emetimet e shkaktuara nga njerëzit po çojnë në rritje të temperaturave, duke sjellë nga ana tjetër mot më ekstrem.

Djegia e lëndëve fosile lidhet me rritjen e përqendrimeve të gazeve serë (GHG), të cilat kontribuojnë në rritjen e temperaturës globale me 1.2°C mbi nivelet para-industriale.

Secila prej tre dekadave të fundit ka qenë më e ngrohtë në sipërfaqen e tokës se çdo dekadë e mëparshme që nga viti 1850. Pjesa më e madhe e ngrohjes ka ndodhur gjatë 35 viteve të fundit, ku që nga viti 2001 janë regjistruar 16 nga 17 vitet më të ngrohta ndonjëherë.

Rritja e temperaturave të ajrit dhe oqeanit lidhet ngushtësisht me rritjen e nivelit të detit, reduktimin e mbulesës së borës dhe akullit, dhe ndryshimet në qarkullimin midis atmosferës dhe oqeanit. Këto, nga ana tjetër, ndikojnë te moti rajonal, duke sjellë thatësira, përmbytje dhe stuhi tropikale.

Disa nga këto procese kanë gjithashtu potencialin për të emetuar akoma më shumë gaze serë në atmosferë, duke krijuar kështu një cikël reagues që mund të përkeqësojë ngrohjen globale.

Moti ekstrem po prek më shumë njerëz dhe po sjell kosto më të larta

Me rritjen e frekuencës dhe të ashpërsisë së ngjarjeve ekstreme të motit, shtohen edhe kostot e tyre të drejtpërdrejta në ekonomi.

Ndërkohë që ngjarjet ekstreme të motit janë rritur më shumë se pesë herë gjatë të njëjtit numër dekadash, kostoja e ngjarjeve ekstreme është rritur gati tetë herë në rang global që nga vitet 1970, duke llogaritur këtu edhe ndikimin e inflacionit.

Kjo shifër mund të interpretohet ndryshe si një rritje e kostos për çdo ngjarje me afro 77% përgjatë pesë dekadave të fundit.

Në nivel makro, stuhitë dhe përmbytjet, rritja e mungesës së ujit dhe thatësirat, përhapja e sëmundjeve, reduktimi i prodhimit bujqësor dhe ndryshimet e ekosistemit mund të sjellin rreziqe për investimet.

Investitorët duhet të fokusohen te potenciali i dëmtimeve të kushtueshme fizike, koha e humbur dhe produktiviteti i dëmtuar, migrimet si pasojë e ndryshimeve klimatike, ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimeve dhe rritja e përgjithshme e pasigurisë. Këta faktorë sjellin rreziqe si për rritjen afatshkurtër, ashtu edhe për atë afatgjatë.

Zonat urbane dhe bregdetare mbajnë peshën kryesore të kostove që vijnë nga stuhitë dhe përmbytjet. Jo vetëm që riparimi dhe zëvendësimi i pronave në zona me ndërtim të dendur ka kosto më të lartë, por zhvillimi në zona bregdetare kontribuon gjithashtu në shkatërrimin e mbrojtjeve natyrore bregdetare, të tilla si rizoforët dhe shkëmbinjtë koralorë, duke shtuar më shumë vulnerabilitetin ndaj motit ekstrem.

Më shumë se 40% e njerëzve jetojnë në një largësi 100 km nga brigjet, sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara.

Rritja e urbanizimit do të shtojë rrezikun e kostove që lidhen me motin – qytetet parashikohet të përbëjnë 68% të popullsisë globale deri në vitin 2050, nga 55% që është kjo shifër sot. Ekonomitë në zhvillim, ku urbanizimi po rritet me shpejtësi, janë tashmë në mënyrë disproporcionale më të prekura ndaj ngjarjeve ekstreme të motit.

Moti ekstrem mund të sjellë nevojën për politika ekstreme

Shpeshtësia më e madhe dhe kostot e shtuara që vijnë nga ngjarjet ekstreme të motit nënvizojnë nevojën për kujdes dhe përshtatje.

Numri më i madh i këtyre ngjarjeve do të rrisë pasigurinë lidhur me disponueshmërinë e ushqimit, të mallrave dhe të punës, të cilat nga ana tjetër do të ndikojnë tek investimet, konsumi dhe tregtia.

Kjo do t’i detyrojë politikëbërësit dhe qeveritë që të marrin vendime më të ashpra në dekadat e ardhshme, si përgjigje ndaj shkatërrimeve dhe ndryshimeve që po vijnë me motin – dhe kjo gjë ofron një shtysë për të vepruar kundër kërcënimit të ndryshimit të klimës.

LEXO EDHE: E para në Europë dhe e 40-ta në botë/ Shqipëria me “rreth të kuq” për rrezikun nga fatkeqësitë natyrore

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat