5.5 C
Tirana
Saturday, December 3, 2022
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetFondi i sigurimit të depozitave është rritur ndjeshëm, bankat kërkojnë uljen e...

Fondi i sigurimit të depozitave është rritur ndjeshëm, bankat kërkojnë uljen e primit

Bankat tregtare po kërkojnë nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave.

Burime nga sektori bëjnë të ditur se Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave iu është kërkuar të merret parasysh një ulje e vlerës së primit që bankat paguajnë, sipas hapësirave që krijon ligji. Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 31, pika 11 përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5 për qind të mesatares së këtyre depozitave”.

Në fakt, fondi i ASD-së për sigurimin e depozitave bankare e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016, ndërsa ka vijuar të rritet edhe gjatë viteve në vijim. Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2020 raporti i mbulimit arriti në 6.46%, nga 6.15% që pati qenë një vit më parë. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara. Në këto kushte, bankat kërkojnë që ASD të vlerësojë mundësinë e uljes së primit, siç parashikon ligji.

Bankat argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me një rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore. Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Për vitin 2020, bankat paguan prime të sigurimit të depozitave në vlerën e 3.57 miliardë lekëve ose 29 milionë eurove. Këtyre iu shtohen edhe 654 milionë lekë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që e çojnë shpenzimin vjetor për të dy fondet në 4.2 miliardë lekë ose rreth 34 milionë euro.

Gjithashtu, prej vitit 2020, bankat janë të detyruara të rrisin edhe raportin total të mjaftueshmërisë së kapitalit, pas hyrjes në fuqi të shtesave makroprudenciale. Nga 12% që është kufiri minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit sipas rregullores kuadër, me shtesën konservuese prej 1% ku kufi ka arritur në 13%. Duke filluar nga 1 janari 2022 niveli dysheme i këtij raporti për të gjitha bankat do të rritet në 13.5%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% çdo vit, deri në vitin 2024. Përveç shtesës konservuese që kërkohet për të gjithë aktorët e tregut, bankat sistemike kanë kërkesa shtesë të shprehura në përqindje më të larta të të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Në tërësinë e tyre, këto masa i bëjnë bankat më të sigurta përballë rrezikut të falimentimit dhe, rrjedhmisht, ulin edhe gjasat që publiku të pësojë humbje nga një ngjarje e tillë eventuale. Edhe për këtë arsye, bankat kërkojnë që rritja e kërkesave për kapital të shoqërohet, së paku, me uljen e primit të sigurimit të depozitave, në përputhje me hapësirat që lejon ligji përkatës. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat