8.5 C
Tirana
Friday, April 19, 2024
spot_img
Faqe KryesoreCovid-19Edhe një sëmundje e lehtë me COVID-19 mund të shkaktojë tkurrje të...

Edhe një sëmundje e lehtë me COVID-19 mund të shkaktojë tkurrje të trurit sikur të jeni plakur 10 vjet

Edhe një sëmundje me simptoma të lehta të COVID-it mund të shkaktojë një humbje të materies së trurit të barabartë me një dekadë plakje, sipas versionit paraprak të një studimi të ri të botuar në Nature në fillim të javës.

Sëmundja me COVID-19 sjell një “rënie më të madhe të aftësive konjitive” krahasuar me njerëzit që nuk janë sëmurë kurrë me COVID.

Studimi ofron edhe prova të tjera për efektet e COVID në të gjithë trupin e njeriut, disa prej të cilave mund të kenë pasoja të përhershme në shëndetin e pacientit.

LEXO EDHEDy vite pandemi në Shqipëri / Si i ndihmoi SIGAL UNIQA mijëra qytetarë

Studimi i cili përfshiu 785 vullnetarë të moshës 51 deri në 81 vjeç, u krye në bashkëpunim me U.K. Biobank – një nismë për të regjistruar informacione shëndetësore për gjysmë milioni banorë në Mbretërinë e Bashkuar.

Studiuesit krahasuan dy skanime me rezonancë magnetike (MRI) të trurit të secilit pacient, të kryera me 38 muaj diferencë. Skanimi i parë ishte kryer përpara fillimit të pandemisë. Në periudhën mes dy skanimeve, 401 prej vullnetarëve rezultuan pozitivë me COVID, duke shërbyer kështu si një grup kontrolli për të studiuar efektet e koronavirusit në tru.

Në rrethana normale, njerëzit humbasin rreth 0.2% deri në 0.3% të materies së trurit të tyre çdo vit për shkak të plakjes.

Megjithatë, studimi zbuloi se pacientët që kaluan COVID patën një humbje shtesë të materies së trurit, e cila varionte nga 0.2% deri në 2% të madhësisë së trurit të tyre përgjatë tre viteve midis dy skanimeve MRI.

Në rastin më të keq, kjo është një humbje e barabartë me tkurrjen që do të kishte truri pas 10 viteve.

Vetëm 15 nga vullnetarët që rezultuan pozitivë me COVID u shtruan në spital për shkak të pasojave të virusit, gjë që do të thotë se edhe rastet me simptoma të lehta sollën humbje të dukshme të materies së trurit.

Studiuesit zbuluan gjithashtu dëmtime në zonat e trurit që janë përgjegjëse për nuhatjen, gjë që mund të ndihmojë për të shpjeguar një nga simptomat të raportuara më shpesh të COVID: humbjen e nuhatjes dhe të shijes.

“Kjo është një provë mjaft bindëse se diçka ndryshon në trurin e këtij grupi njerëzish që kanë kaluar COVID-in”, tha për New York Times Dr. Serena Spudich nga Shkolla e Mjekësisë e Yale, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.

Pavarësisht se njihet kryesisht si një sëmundje respiratore, COVID sulmon edhe disa pjesë të tjera të trupit të njeriut, përveç mushkërive. Një studim në fund të vitit të kaluar zbuloi se koronavirusi mund të sulmojë drejtpërdrejt qelizat dhjamore, duke shpjeguar kështu arsyen pse pacientët mbipeshë dhe obezë kanë qenë më të rrezikuar ndaj simptomave të rënda të COVID-it.

Pacientët me COVID-19 mund të vuajnë nga një shumëllojshmëri gjendjesh kronike edhe disa muaj pasi janë testuar si pozitiv, duke përfshirë depresionin, humbjen e flokëve dhe lodhjen. COVID gjithashtu është lidhur me një shkallë më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe infarkteve kardiake. Edhe sëmundja me simptoma të lehta duket se shkakton raste të “COVID-it të gjatë”, duke kontribuar në një fenomen të shëndetit publik që kërcënon të mbajë varur ekonominë edhe pas mbarimit të pandemisë.

Megjithatë, shkencëtarët paralajmëruan se reduktimi i materies së trurit nuk duhet lidhur me humbjen e aftësive konjitive.

Spudich tha për Bloomberg, “Ne jemi me fat që kemi një organ që vetëshërohet si truri, i cili është i aftë të funksionojë edhe pas shumë sulmeve të mundshme, pa pasur ndonjë dëmtim”.

Nevojiten akoma më shumë studime për të përcaktuar nëse efekti i COVID në tkurrjen e trurit të njeriut është i përhershëm.

Siç tha neuroshkencëtarja Gwenalle Douaud, një nga autoret e studimit, “Truri është ‘plastik’ dhe mund të vetëshërohet“.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat