9.5 C
Tirana
Wednesday, April 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAMF bashkëpunim me Autoritetin e Maltës: Marrëveshje në kuadër të ekspertizës dhe...

AMF bashkëpunim me Autoritetin e Maltës: Marrëveshje në kuadër të ekspertizës dhe praktikave mbikëqyrëse e rregullatore

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti i Shërbimeve Financiare të Maltës (MFSA) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes dy rregullatorëve.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i AMF-së, Ervin Mete dhe Drejtoresha Ekzekutive e MFSA-së, Michelle Mizzi Buontempo.

Marrëveshja përcakton një kuadër të qartë bashkëpunimi mes dy rregullatorëve në të gjitha fushat ku ata ushtrojnë funksionet e tyre mbikëqyrëse, tregun e kapitaleve, tregun e sigurimeve, fondet e investimeve, fondet e pensioneve private, si edhe atë të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

“Me hapjen e negociatave me BE-në, Shqipëria është angazhuar në negocimin e kapitujve, ku Autoriteti udhëheq kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Në këtë drejtim, është me rëndësi të veçantë vendosja e urave të bashkëpunimit me rregullatorët evropianë, për të përfituar nga eksperienca dhe asistenca e tyre si në funksion të përafrimit me legjislacionin e BE-së, ashtu edhe sa i përket avancimit drejt praktikave më të mira të mbikëqyrjes. Si një nga vendet e para të BE-së që ndërmori rregullimin e shërbimeve financiare të ofruara përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë, Malta ka një ekspertizë të thelluar në këtë fushë, e cila mund t’i shërbejë më së miri edhe Shqipërisë”, tha Mete pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Drejtoresha Ekzekutive e MFSA-së, znj. Buontempo shprehu gadishmërinë për të mbështetur Autoritetin, si edhe vlerësoi se bashkëpunimi mes rregullatorëve është kyç përkundrejt zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe ndërlidhjes së tregjeve financiare.

“MFSA do t’u japë të gjithë asistencën e nevojshme kolegëve shqiptarë, në funksion të harmonizimit të rregulloreve me kuadrin ligjor evropian. Gjithashtu, shkëmbimi i informacionit dhe praktikave më të mira do të na shërbejë në arritjen e qëllimit të përbashkët për një mbikëqyrje sa më efektive të tregjeve financiare.”

Gjatë qëndrimit në Maltë, Mete u takua gjithashtu me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Maltës, z. Edward Scicluna.

Në takim u nënvizua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve financiare, me qëllim maksimizimin e objektivave të përbashkëta, në funksion të garantimit të stabilitetit financiar, krijimit të një ambjenti sa më të përshtatshëm për operatorët e tregjeve, si edhe mbrojtjes së konsumatorëve e investitorëve.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat