32.4 C
Tirana
Friday, July 17, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAksidentohet fatalisht drejtuesi, çfarë duhet ditur nga sigurimi TPL kur dëmtohet drejtuesi...

Aksidentohet fatalisht drejtuesi, çfarë duhet ditur nga sigurimi TPL kur dëmtohet drejtuesi i mjetit

Aksidenti tragjik i ndodhur në aksin Elbasan-Librazhd, ku humbi jetën një 19-vjeçar pasi automjeti doli nga rruga, rikthen në vëmendje rëndësinë e njohjes së mbulimit që ofron sigurimi i detyrueshëm motorik (TPL).

Sigurime.Online shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjarët e të riut dhe apelon cilindo lexues të sajin për kujdes dhe vigjilencë në drejtim, sidomos në këto ditë me flukse lëvizjesh të shtuar.

Çfarë duhet ditur për raste si këto? Çfarë është jashtë mbulimit të TPL?

Sipas Ligjit nr. 32/2021 dhe kushteve të përgjithshme të policës TPL, sigurimi i detyrueshëm nuk është krijuar për të mbrojtur drejtuesin që shkakton aksidentin, por për të mbrojtur palët e treta që pësojnë dëme si pasojë e përdorimit të automjetit.

Në rastin konkret, fatkeq, familjarët e të ndjerit nuk do të jenë përfitues nga sigurimi i tij TPL.

Çfarë mbulon TPL?

Polica mbulon përgjegjësinë civile të drejtuesit për dëmet që u shkaktohen personave të tjerë, palë të treta. Kjo përfshin:

  • dëmet ndaj personit, si vdekja, dëmtimet trupore apo përkeqësimi i shëndetit;
  • dëmet materiale ndaj pronës së palëve të treta;
  • dëmet ndaj këmbësorëve, çiklistëve dhe përdoruesve të mjeteve jomotorike;
  • sendet personale që udhëtarët mbajnë zakonisht me vete.

Kush nuk përfiton nga kjo policë?

Një nga përjashtimet më të rëndësishme të kontratës është se drejtuesi i mjetit që shkakton aksidentin nuk dëmshpërblehet nga TPL-ja për dëmet që pëson vetë, përfshirë edhe rastin e humbjes së jetës. Ky përjashtim shtrihet edhe ndaj trashëgimtarëve të tij për këto dëme.

Gjithashtu, kontrata nuk mbulon drejtuesin në raste të caktuara, si:

  • drejtimi pa leje të vlefshme;
  • drejtimi nën ndikimin e alkoolit ose lëndëve narkotike;
  • shkaktimi i qëllimshëm i aksidentit;
  • përdorimi i mjetit jashtë destinacionit të tij;
  • drejtimi i një automjeti me defekte teknike, për të cilat drejtuesi ka qenë në dijeni.

Megjithatë, edhe në këto raste, të drejtat e palëve të treta nuk cenohen. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të dëmshpërblejë viktimat ose të dëmtuarit, por më pas ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e shumës së paguar nga personi përgjegjës për aksidentin.

Pse është e rëndësishëm të kuptohet ky dallim?

Shumë drejtues mendojnë se polica TPL i mbron edhe ata vetë në çdo situatë. Në fakt, funksioni i saj kryesor është të garantojë që personat e pafajshëm, të cilët pësojnë dëme nga një aksident rrugor, të marrin dëmshpërblimin e parashikuar nga ligji.

Pikërisht për këtë arsye, ekspertët e sigurimeve rekomandojnë që drejtuesit e automjeteve, krahas sigurimit të detyrueshëm TPL, të shqyrtojnë edhe produkte të tjera vullnetare sigurimi, të cilat mund të ofrojnë mbrojtje më të gjerë për vetë drejtuesin dhe automjetin, sipas kushteve të secilës policë.

Njohja e të drejtave dhe kufizimeve të sigurimit është po aq e rëndësishme sa respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Në momente të vështira, një informacion i saktë ndihmon qytetarët të kuptojnë se cilat janë garancitë që ofron ligji dhe cilat janë rastet kur nevojitet mbrojtje shtesë përmes sigurimeve vullnetare.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat