Dy mjete me targa të Kosovës janë përplasur mesditën e kësaj të mërkure në rrugën e Kombit, rreth 500 metra larg doganës së Morinës.
Një autobot nafte me targa KS509XB që transportonte naftë drejt Kosovës dhe automjeti tip ‘Volkswagen’ me targa 01737QJ janë përplasur në aksin Kukës-Morinë. Të dy mjetet kanë humbur kontrollin duke u përplasur me trafikndarësen, ndërsa autoboti ka devijuar dhe ka dalë nga rruga rreth 100 metra larg vendit të aksidentit. Drejtuesja e mjetit nuk është lënduar, ndërsa nëna dhe motra që ishin pasagjere kanë marrë dëmtime të lehta. Ato janë dërguar me urgjencë në spitalin e Kukësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
LEXO EDHE: 377 aksidente dhe 524 të aksidentuar në periudhën janar-prill, sjellja e shoferëve mbetet problem
I lënduar ka mbetur edhe drejtuesi i autobotit, i cili ka goditur mjetin. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht mendohet që aksidenti të jetë shkaktuar nga prania e lagështisë në rrugë për shkak të reshjeve të shiut por edhe manovrat e gabuara të autoveturës gjatë parakalimit të autobotit, raporton Shqiptarja.com.