Aksidentet janë ulur me 14.4% në janar të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instituti i Statistikave, INSTAT, raporton se në muajin e kaluar u numëruan në total 107 aksidente rrugore nga 125 aksidente që ndodhën në janar 2021.
“Në muajin Janar 2022, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 147 persona nga 165 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në muajin Janar 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 16 persona, nga 22 persona të vdekur në Janar 2021”, thuhet në raportin e INSTAT.
Lexo edhe: Kompanitë e sigurimeve 6.7 miliardë lekë dëme gjatë 2021, asnjë kompani nuk ka paguar sa SIGAL UNIQA
Shkak për aksidentet ashtu sikurse është tendenca historike është bërë sjellja e shoferëve në drejtimin e automjeteve.
Sipas shifrave, në muajin Janar 2022, në 81.3% të rasteve aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Por cilët janë në fakt grupmoshat më të “rrezikshme” në drejtimin e mjetit?
INSTAT vlerëson se numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 29,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Pavarësisht kësaj situate shifrat tregojnë për një ulje të aksidenteve nga kjo grupmoshë në raport me një vit më parë.
“Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 11,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, raporton INSTAT.
Lexo edhe: Sigurimet Motorike/ SIGAL UNIQA, kompania që paguan më shumë dëme, rritje gjatë 2021