15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKrizat e pritshme ndërkombëtare gjatë këtij viti

Krizat e pritshme ndërkombëtare gjatë këtij viti

Pas një viti që solli sulmin mbi Capitol Hill në SHBA, një gjakderdhje të tmerrshme në Etiopi, triumfin e talebanëve në Afganistan, përballjes mes fuqive të mëdha mbi Ukrainën dhe Tajvanin, Covid-19, dhe një emergjence të klimës, është e lehtë të thuhet se bota ka dalë nga binarët.

Në plan të parë këtë fillim viti është fakti se Rusia, që ka grumbulluar mijëra trupa në kufi me Ukrainën, mund të synojë të marrë lëshime të tjera nga Perëndimi. Duke pasur parasysh historikun e Putinit, dhe nënvlerësimin e armiqësisë që frymëzon Moska tek ukrainasit, jashtë zonave të kontrolluara nga separatistët, askush nuk duhet të përjashtojë një aventurë tjetër ushtarake.

Fuqitë perëndimore, duhet ta bëjnë të qartë se çfarë do të bëjnë për të mbështetur Ukrainën, t’ia transmetonin këtë Moskës, dhe t’i përmbahen fort vijave të kuqe.

Joe Biden, ka kërcënuar Rusinë me sanksione të forta, dhe me një grumbullim të madh ushtarak në krahun lindor të NATO-s.

Nëse viti 2021 mbylli një kapitull të tragjedisë së gjatë disa dekadëshe të Afganistanit, po nis tashmë një kapitull tjetër. Që nga marrja e pushtetit nga talebanët në Gusht, në vend është shfaqur një katastrofë humanitare. Të dhënat e OKB-së tregojnë se miliona fëmijë afganë mund të vdesin nga uria.

Qeveria e re nuk mundet të paguajë nëpunësit civilë. Ekonomia ka rënë, ndërsa talebanët përballen me një luftë të egër kundër degës lokale të Shtetit Islamik. Regjimi i ri ka bërë pak për të fituar simpatinë e donatorëve. Por perëndimorët kanë përgjegjësinë të madhe për gjendjen e vështirë të afganëve.

Ndërprerja e papritur e fondeve për një shtet tërësisht të varur nga ndihma, ka qenë tejet shkatërruese. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 23 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë, do të vuajnë këtë dimër nga uria. Katastrofën mund ta shmangë vetëm ndihma humanitare.

Në Uashington, një nga pikëpamjet e pakta mbi të cilin ka një konsensus të gjerë, është se Kina është një kundërshtar me të cilin Shtetet e Bashkuara janë një në mosmarrëveshje të pashmangshme. Konkurrenca me Kinën po bëhet një prioritet për politikën amerikane.

Strategjia e Joe Biden për Kinën, i sheh kostot e përparësisë rajonale kineze si më të rënda, sesa rreziku i përplasjes më të. Kur avionët amerikanë dhe kinezë u përplasën në vitin 2001 gjatë një periudhe raportesh të qeta midis Pekinit dhe Uashingtonit, u deshën muaj të tërë diplomacie intensive për të zgjidhur konfliktin. Sot kjo gjë do të ishte më e vështirë, dhe rreziku i përshkallëzimit është shumë më i madh.

Ndërsa po zbehen shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, po afrohet një tjetër përshkallëzim i situatës. Administrata e Joe Biden humbi shumë kohë me atë se kush duhet të bënte lëvizjen e parë, edhe pse për disa muaj, bisedimet e Vjenës shënuan hapa para.

Por në qershor, Ebrahim Raisi fitoi zgjedhjet presidenciale në Iran, duke i dhënë forcave të vijës së ashpër kontrollin e të gjitha qendrave kryesore të pushtetit të Republikës Islamike. Pas një pauze 5-mujore, Irani u rikthye tek bisedimet, por i shtoi kushtet për arritjen e një marrëveshje.

Tani ka 2 opsione:diplomatët mund të përpiqen të arrijnë një marrëveshje më gjithëpërfshirëse, ndërkohë që prishja e negociatave është një mundësi reale. SHBA-ja dhe Izraeli mund të sulmojnë nga ajri bazat iraniane, ndërsa duke mos pasur se çfarë të humbë, Teherani mund të nxitojë të armatoset me shpjetësi, dhe ka ngjarë të sulmojë objektiva në gjithë Lindjen e Mesme.

Klan News

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat