Strehimi social vijon të mbetet një program aktiv ku për të paktën 3900 familje qeveria bën subvencionimin e interesave të kredive që janë marrë për blerje banese ndërkohë që të paktën 1550 familje janë në proces vlerësimi nga bankat.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë raportoi në programin e saj të strehimit ecurinë e pagesave për secilin zë që lidhet me programin e strehimit duke dhënë edhe shifrat e përfituesve të rinj.
“Produkti: Subvencionimi i interesave për kreditë ekzistuese, me vlerën 151. 2 milionë lekë, është realizuar në vlerën 79,1 milionë lekë (3’900 familje). Kosto për njësi është parashikuar në vlerën 40 mijë lekë, si pasojë e situatës së shkaktuar nga COVID-19, interesat e bonove të thesarit janë rritur, gjithashtu vazhdojnë pagesat (për çdo muaj) për 3’900 familje”, thuhet në raportimin e Financave.
Trajtimi për familjet e prekura nga tërmeti
Ministria e Financave raportoi se në programin e strehimit janë përfshirë edhe grupi i familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Produkti: Subvencionimi i qirasë për familjet e prekura nga tërmeti, janë alokuar 2,000,000 mijë lekë, për 11 Njësitë e Qeverisjes Vendore të prekura nga tërmeti i datës 26.11.2019. Realizimi faktit i fondeve është në vlerën 1. 8 miliardë lekë. Numri i familjeve përfituese të subvencionimit të qirasë, u ul si rezultat i vazhdimit të verifikimeve në terren të banesave të shpallura të pabanueshme me akt konstatim, pasi kanë përfituar grandin e rikonstruksionit të banesës.
Produkti. Grant i menjëhershëm, përfitues 10 familje me vlerën 2.3 milionë lekë (alokuar Njësive të Qeverisjes Vendore). Ky produkt nuk është realizuar në masën e parashikuar për shkak se Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për procedurat, kriteret dhe përparësitë për akordimin e grantit të menjëhershëm” u miratua më 02.07.2020. Përdorimi i fondeve të parashikuara për këtë produkt do të vijojë për 27 familjet e tjera të cilat ende nuk kanë marrë kompesimimin sipas VKM-së nr.359, datë 4.5.2020 “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit, për shpalljen e zonës së re për zhvillimin, në Njësinë Administrative Laç, bashkia Kurbin”. Realizuar në vlerën 574 mijë lekë, përfitues 2 familje”, bën me dije Ministria e Financave.