-0.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiTre kërcënimet për rimëkëmbjen e ekonomisë globale

Tre kërcënimet për rimëkëmbjen e ekonomisë globale

“The Economist”

Lajmet në prag të 2-vjetorit të pandemisë aktuale, mund të ishin më të mira sesa këto që po dëgjojmë aktualisht. Shfaqja e një varianti të ri të Covid-19, Omicron, ka nxitur një valë të madhe shitjesh në tregjet financiare, e nxitur me sa duket nga shqetësimi se një lloj i ri shumë i transmetueshëm i virusit, mund të frenojë rimëkëmbjen e ekonomive në mbarë botën. Megjithatë, edhe nëse Omicron do të rezultojë i menaxhueshëm, viti 2022 do të jetë ndoshta një vit ekonomik i vështirë, pasi vendet ndodhen midis 2 forcave ekonomike të frikshme: politikës monetare më të shtrënguar në SHBA, dhe rritjes më të ngadaltë ekonomike të Kinës. Amerika dhe Kina janë gjigantët e ekonomisë globale. Së bashku, ato përbëjnë 40 për qind të PBB-së globale. E megjithatë, të dy gjigantët priren që të ndikojnë në mënyra të ndryshme tek ekonomitë e tjera. Për shumë vende në zhvillim, rritja e fortë ekonomike në Amerikë, është një thikë me dy presa. Efekti ekspansionist i shpenzimeve të familjeve amerikane, dëmtohet shpesh nga efekti i politikës së saj monetare, duke pasur parasysh rolin kritik që luan dollari dhe bonot amerikane të thesarit në sistemin financiar global. Një politikë më e rreptë monetare e Amerikës, shoqërohet shpesh me një rënie të oreksit global për të ndërmarrë veprime të rrezikshme. Flukset e kapitalit drejt tregjeve në zhvillim, priren të pakësohen; dhe forcimi i dollarit i redukton flukset tregtare, për shkak të rolit të monedhës së gjelbër në të. Ndërkohë, efekti i Kinës në ekonominë globale, është edhe më i drejtpërdrejtë. Kjo pasi ajo është konsumatorja më e madhe në botë e aluminit, qymyrit, pambukut dhe kokrrave të sojës, midis mallrave të tjera, dhe një importuese e madhe e mallrave, duke filluar nga pajisjet kapitale tek vera. Dhe kur lëkundet ekonomia kineze, efektin e ndjejnë eksportuesit në mbarë botën.

Viti i ardhshëm, nuk do të jetë hera e parë që ekonomitë do të detyrohen të “lundrojnë” në “ujërat e turbullta” dhe midis dy rreziqeve. Në mesin e viteve 2010, tregjet e pambrojtura në zhvillim u ndikuan jo pak nga një dollar në forcim e sipër, pasi Rezerva Federale (FED) hoqi dorë nga mbështetja monetare e ofruar gjatë krizës globale financiare, ndërsa një raund i ri por i keq–menaxhuar i liberalizimit të tregut financiar, dhe shtrëngimi i kushteve të kredisë,shkaktoi një rënie të ndjeshme ekonomike në Kinë. Por këtë herë, pasojat negative mund të jenë më të mëdha. Në vitet 2010, një rimëkëmbje e dobët dhe një inflacioni vazhdimisht i ulët e detyroi FED-in të ecë më ngadalë. Atëherë kaluan më shumë se 2 vjet e gjysmë, midis shpalljes së synimit për të reduktuar blerjet e aseteve, dhe rritjes së parë të normës bazë të interesit. Kësaj radhe, 12 muaj pas shpalljes së synimeve, FED ka të ngjarë të që veç uljes së normës së interesit, të ndalojë plotësisht blerjen e obligacioneve. Nga ana e saj Kina, duket se është sot më e rrezikuar nga rënie e fortë, sesa ishte një 5 vite më parë. Në atë kohë, qeveria iu përgjigj ngadalësimit të rritjes duke hapur “çezmat” e kredisë, dhe duke ndihmuar në ri–fryrjen e “flluskës” në industrinë e ndërtimit të banesave. Por sot ekspertët po bëjnë paralajmërime ogurzeza për të ardhmen. Ndonëse FMN-ja parashikon se Kina do të rritet me 5.6 për qind në 2022, kjo do të ishte, me përjashtim të vitit 2020, norma më e ulët e rritjes që nga viti 1990. Rëndësia e Kinës për ekonominë globale, vetëm sa është rritur që nga viti 2010. Dhe bota mbetet e ndjeshme ndaj goditjeve. Barra e borxhit u rrit ndjeshëm gjatë pandemisë. Përhapja e vazhdueshme e Covid-19, ka të ngjarë të imponojë masa të mëtejshme kufizuese. Analiza e episodeve të kaluara të masave shtrënguese të FED-it, sugjeron se një rritje e normave të interesit, e nxitur nga një kërkesë e fortë në SHBA, është deri dikur e dobishme për ekonomitë në zhvillim, që kanë një bazë të shëndoshë makroekonomike. Por ajo mund të jetë destabilizuese për ekonomitë më të brishta. Për të vlerësuar se cilat vende do të përballen me masa shtrënguese më të madha, si pasojë e politikat monetare më të shtrënguara në Amerikë, The Economist ka mbledhur të dhëna për disa variabla makroekonomikë kryesore për 60 ekonomi të mëdha, si të pasura ashtu edhe në zhvillim.

Deficitet e mëdha të llogarisë korrente, nivelet e larta të borxhit, inflacioni i shfrenuar dhe rezervat e pamjaftueshme të këmbimit valutor, sjellin jo pak probleme për ekonomitë që përballen me flukset e paqëndrueshme të kapitalit. Presioni po ndihet aktualisht shumë në disa vende. Argjentina, që kryeson listën, përballet me një normë inflacioni mbi 50 për qind dhe me një krizë ekonomike të thelluar. Gjendja e Turqisë duket pak më e mirë, por vështirësitë e saj shtohen nga dëshira kokëfortë e qeverisë për të ulur normat e interesit përballë çmimeve në rritje. Lira është goditur fort, duke humbur gati 40 për qind të vlerës përkundrejt dollarit vetëm gjatë këtij viti, duke e reduktuar fuqinë blerëse të pagave dhe pensioneve të turqve. Fatet e disa vendeve, janë më të lidhura më shumë me njërin prej gjigantëve sesa me tjetrin. Por kushtet mund të përkeqësohen, në rast se një politika monetare më e shtrënguar në SHBA, e përkeqëson ngadalësimin e ekonomisë kineze. Edhe pse sasia e madhe e rezervave valutore të Kinës i siguron asaj një lloj “kamardare” shpëtimi, Pekini ka pranuar flukse të mëdha financiare gjatë 2 viteve të fundit, të cilat e kanë rritur koston e juanit. Dhe shfaqja e varianti Omicron i shton pasiguritë. Dihet ende pak mbi dëmin ekonomik që mund të shkaktojë ai. Ndërsa çmimet e aksioneve në bursa ranë më 26 nëntor, investitorët i ulën pritshmëritë e tyre mbi ritmin e rritjes së normës së interesit në SHBA vitin e ardhshëm. Por kjo mund të mos sjellë shumë lehtësim për ekonomitë e dobëta. Shumë monedha u zhvlerësuan përkundrejt. Nëse Omicron do të frenojë tregtinë dhe rritjen ekonomike, atëherë përhapja e tij do të përforconte më tej presionet me të cilat përballen ekonomitë e brishta.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat