Sigurimi i pronës nga zjarri është një nga instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen financiare të familjeve dhe bizneseve. Megjithatë, jo çdo dëmtim i shkaktuar nga zjarri apo ngjarje të ngjashme përbën automatikisht rast për dëmshpërblim.
Kontrata e sigurimit ka vlerë të plotë ligjore dhe përcakton në mënyrë të qartë rastet kur mbulimi zbatohet, si edhe përjashtimet, pra situatat kur polica nuk aktivizohet. Këto përjashtime janë pjesë e kushteve kontraktore dhe mund të konsultohen nga çdo qytetar paraprakisht, përmes Kushteve të Përgjithshme të Sigurimit, edhe përpara blerjes së policës.
Ndër rastet më të zakonshme kur siguruesi nuk ka detyrim për dëmshpërblim përfshihen:
a) dëmet e shkaktuara nga implozioni;
b) fitimi i munguar dhe dëmet pasuese, si humbja e kontratave, vonesat në aktivitet, penalitetet apo gjobat;
c) dëmtimet që vijnë nga përdorimi normal i zjarrit ose nxehtësisë në procese pune apo shërbimi;
d) djegiet sipërfaqësore që nuk lidhen me një rrezik të mbuluar nga kontrata;
e) dëmtimet në motorë me djegie të brendshme të shkaktuara nga shpërthimet brenda dhomës së djegies;
f) dëmtimet në instalime dhe pajisje elektrike që shkaktohen nga mbingarkesa elektrike, qarku i shkurtër, luhatjet e tensionit, defektet e izolimit apo probleme të tjera elektrike, nëse ato nuk janë pasojë e një rreziku të siguruar;
g) dëmet nga rrufeja kur nuk ka goditje të drejtpërdrejtë;
h) dëmet nga zjarri që janë pasojë e tërmetit, nëse ky rrezik nuk është i mbuluar në kontratë;
i) dëmet e shkaktuara me dashje ose nga pakujdesia e rëndë e të siguruarit apo e anëtarëve madhorë të familjes së tij;
j) dëmet që lidhen me akte keqdashëse, kur ato nuk janë pjesë e mbulimit të zgjedhur.
Gjithashtu, policat standarde nuk mbulojnë humbjet që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme, si lufta, lufta civile, revoltat, aktet terroriste, trazirat masive, konfiskimet nga autoritetet shtetërore, reaksionet ose ndotjen bërthamore, si edhe rastet kur dëmi është shkaktuar me qëllim ose si pasojë e neglizhencës së rëndë të të siguruarit.
Për këto arsye, Sigurime.Online këshillon që, përpara nënshkrimit të çdo police sigurimi, qytetarët të lexojnë me kujdes Kushtet e Përgjithshme dhe të njihen jo vetëm me rreziqet që mbulohen, por edhe me përjashtimet. Njohja paraprake e këtyre kushteve ndihmon në krijimin e pritshmërive të qarta dhe shmang keqkuptimet në rast të një dëmi.




