Një aksident është regjistruar në aksin rrugor Gramsh-Maliq.
Një karrotrec ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar në anë të saj së bashku me mjetin e rëndë që transportonte, një eskavator.
Drejtuesi i karrotrecit ka marrë lëndime të lehta, mjeti karrotrec është dëmtuar rëndë, si edhe mjeti që po transportohej ka pësuar dëme materiale.
A e dini që me 4 siguracione vullnetare, nëse do të ishin blerë më parë, të gjitha vlerat financiare të tyre do të ishin përballuar nga siguracioni?
Cilat janë këto 4 siguracione?
- Siguracioni i aksidenteve personale për trajtimin spitalor të drejtuesit të karrotrecit,
- Siguracioni KASKO për mjetin karrotrec,
- Siguracioni i përgjegjësive të transportuesit nga perspektiva e drejtuesit ndaj mallit që po transporton (eskavatori i ngarkuar)
- Siguracioni i mallit në transport nga perspektiva e pritësit të eskavatorit për mbërritje në destinacion
1.Siguracioni nga aksidentet personale
Vetëm 10 euro shtesë përmbi siguracionin e detyruar TPL, drejtuesi i mjetit motorik mund të blinte siguracionin nga aksidentet personale. TPL nuk e mbulon drejtuesin e mjetit për aksidentet që ai pëson, kur është shkaktar i aksidentit.
Në rastin konkret, për trajtimin e plagëve të lehta të shkaktuara nga dalja prej rrugës dhe përmbysja e mjetit, ai do të kujdeset me financat e tij.
Për vetëm 10 euro, deri në 1 mijë euro trajtime spitalore në rast aksidenti mbulohen nga siguruesi, si edhe dëmshpërblime në rast humbjeje jete ose proporcionalisht edhe për humbje të aftësisë, në mënyrë të përkohshme ose të përhershme.
2. Siguracioni KASKO
Në rastin konkret, siguracioni KASKO është ai që do të merrte përsipër dëmet nga ky lloj aksidenti për mjetin transportues, karrotrecin që po transportonte edhe eskavatorin.
Dalja nga rruga apo përmbysja e mjetit motorik është një rrezik që e mbulon siguracioni KASKO.
Në rastin e daljes nga rruga dhe përmbysjes, siguracioni KASKO nuk mbulon dëmshpërblim në rastet kur dëmet në mjetin motorik të siguruar janë pasojë e konsumit normal, defekteve apo avarive të brendshme elektrike ose mekanike të mjetit, si edhe kur dëmet janë shkaktuar nga persona të paidentifikuar apo nga shkaqe të paidentifikuara nga i siguruari dhe/ose organet shtetërore përkatëse.
Janë disa përjashtime të specifikuara, për të cilat duhet pritur gjithnjë raporti policor për të aktivizuar siguracionin KASKO, megjithatë nëse drejtuesi, mbajtësi i policës KASKO, është në përputhje me të gjitha përcaktimet e policës, të gjitha dëmet e mjetit karrotrec, do të mbulohen nga ai siguracion.
3. CMR, siguracioni për përgjegjësi të transportuesit
CMR është një konventë ndërkombëtare që rregullon transportin rrugor ndërkombëtar të mallrave.
Emri vjen nga frëngjishtja “Convention relative au contrat de transport international de marchandises par route” (Konventa mbi kontratën e transportit ndërkombëtar të mallrave me rrugë).
CMR, në këtë rast, amortizon detyrimet financiare të transportuesit ndaj mjetit që po transportonte, eskavatorit, duke qenë se edhe ky i fundit ka pësuar dëme.
CMR dëmshpërblen të siguruarin kundrejt përgjegjësisë ligjore të të siguruarit si transportues, sipas kushteve të kësaj kontrate sigurimi të bazuara në Konventën për Kontratën e Transportit Ndërkombëtar të Mallrave me Rrugë Tokësore (C.M.R.)
Në rastin e ngjarjes së fundit, kur mallrat u dëmtuan gjatë transportit, është e rëndësishme të pritet përfundimi i hetimit për të përcaktuar shkakun e saktë.
Sigurimi i përgjegjësisë së transportuesit sipas CMR-së aktivizohet vetëm kur dëmtimi nuk lidhet me një nga përjashtimet e parashikuara ligjore.
Këto përjashtime përfshijnë, ndër të tjera, dëmet nga lufta, trazirat civile, aktet terroriste, veprimet e qëllimshme të të siguruarit ose të palëve të treta, rrjedhjet normale, konsumimi, paketimi i papërshtatshëm, vonesat, paaftësia financiare e transportuesve, përdorimi i armëve bërthamore, dhe disa kategori mallrash si monedha, objekte të çmuara apo letra me vlerë.
Në këto kushte, para se të kërkohet dëmshpërblimi, duhet të konfirmohet që ngjarja nuk hyn në ndonjë nga këto kategori përjashtuese. Vetëm pasi të sqarohet kjo, sigurimi CMR mund të veprojë dhe transportuesi të mbrohet ligjërisht për dëmet e pësuara.
CMR mbulon: humbje, shkatërrime, zjarr, si edhe dëmtime aksidentale të mallrave dhe/ose kontenierëve (duke përfshirë të gjitha mjetet në kujdesin, kontrollin apo ruajtjen e të Siguruarit) që vijnë si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve të transportuesit.
Pasi supozojmë se drejtuesi i karrotrecit e ka siguracionin CMR, supozojme se ai u ka qëndruar korrekt të gjitha përcaktimeve të policës, dëmet e përgjegjësisë së tij ndaj eskavatorit mund t’i mbulohen nga ky siguracion.
4. Sigurimi i mallit në transport
Nëse do ta konsiderojmë eskavatorin si mall në transport, nga perpsektiva e atij që e pret të mbërrijë pa dëmtime në destinacion ky mall, ekziston edhe një sigurim tjetër.
Ndërkaq, me 0.15%-0.30% me bazë faturat e mallit, që domethënë vlerën e eskavatorit, si siguracion, malli i dëmtuar do të zhdëmtohej sipas vlerës së dëmit.
Në rast se fjala vjen, kamioni ka qenë duke transportuar eskavatorin me kosto 20 mijë euro, me 60 euro prim sigurimi, do të zhdëmtohej për vlerën e plotë të dëmit.
Nëse për KASKO dhe CMR, në rastin konkret duhet pritur e plotë përgjigjja dhe hetimi i eskpertizës policore për shkaqet, për të parë përputhshmërinë me kushtet e kontratës së sigurimit, KASKO apo CMR, për çdo rast, sigurimi i mallit në transport, nga perspektiva e pritësit apo porositësit, do të ishte i pari dhe më i shpejti nga siguracionet që do të aktivizohej. Gjithashtu, trajtimet spitalore deri në 1 mijë euro të drejtuesit të karrotrecit, do të ishin mbuluar nga siguracioni.




