20.5 C
Tirana
Monday, April 6, 2026
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiThatësira në Evropë dhe alarmi për shkrirjen e akujve në Austri

Thatësira në Evropë dhe alarmi për shkrirjen e akujve në Austri

Një periudhë thatësire (GREEN DROUGHT) që ka zgjatur rreth tre muaj po prek një pjesë të madhe të Evropës, duke përfshirë vende si Austria, Gjermania, Polonia, Holanda dhe Ukraina. Treguesit e thatësirës sinjalizojnë anomali që variojnë nga nivele të lehta deri në të rënda, duke ngritur shqetësime serioze për bujqësinë, furnizimin me ujë dhe ekosistemet natyrore.

“Green drought” është një lloj thatësire që ndodh edhe kur në dukje ka mjaft ujë, por bimët dhe ekosistemet pësojnë stres për shkak të ujit të pamjaftueshëm në tokë. Me fjalë të thjeshta, toka dhe rrënjët nuk marrin ujin e nevojshëm, edhe pse reshjet mund të jenë të pranishme ose të bollshme.

Në të njëjtën kohë, një tjetër alarm vjen nga Austria, ku akullnajat alpine po përballen me një krizë të thellë si pasojë e ndryshimeve klimatike. Sipas një raporti të fundit, 94 nga 96 akullnajat e monitoruara në vend janë në tërheqje. Mes viteve 2024 dhe 2025, ato janë zvogëluar mesatarisht me 20.3 metra, një shifër që mbetet shqetësuese edhe pse pak më e ulët se një vit më parë.

Akullnajat më të prekura janë Alpeiner Ferner në Tirol dhe Stubacher Sonnblickkees në Salzburg, të cilat kanë humbur mbi 100 metra gjatë një viti. Ekspertët e lidhin këtë fenomen drejtpërdrejt me rritjen e temperaturave, dimrat më të butë dhe më të shkurtër, si dhe verat gjithnjë e më të nxehta. Vetëm në qershor 2025, temperaturat ishin rreth 5°C mbi normalen, ndërsa edhe në lartësi të mëdha u regjistruan vlera 2°C më të larta se mesatarja.

Përveç temperaturave, edhe reshjet e borës janë në rënie, ndërsa periudhat e thatësirës po bëhen më të gjata dhe më intensive. Këto zhvillime po ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin me ujë, në ekosistemet alpine dhe në ekonominë lokale, veçanërisht në sektorin e turizmit dimëror.

Ekspertët paralajmërojnë se shkrirja e akullnajave nuk është më një proces që mund të ndalet plotësisht, por vetëm të ngadalësohet. Ulja e sipërfaqeve të mbuluara me akull redukton edhe efektin reflektues të tokës (albedo), duke përshpejtuar më tej ngrohjen globale.

Situata në Austri dhe thatësira në Evropë përbëjnë një tjetër sinjal alarmi për urgjencën e veprimeve konkrete kundër krizës klimatike, ndërsa koha për ndërhyrje efektive po bëhet gjithnjë e më e kufizuar.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat