Një automjet tip foristradë me dy pasagjerë, në një nga rrugët turistike të Veriut humbi kontrollin dhe doli nga rruga automobilistike duke pësuar dëme të shumta materiale.
Dy pasagjerët e tij pësuan lëndime të lehta shëndetësore. Automjeti pësoi dëme të shumta materiale ndërsa, në automjet, ndodheshin edhe kamera dhe dronë filmimi, me vlerë rreth 20 mijë euro.
Pyetja që shtrohet nga ky rast është kjo: A dëmshpërblehen dëmet materiale të këtyre mjeteve të dëmtuara?
Automjeti nuk e kishte siguracionin KASKO, që do të thotë se dëmet materiale në mjet do të mbulohen me shpenzimet e drejtuesit.
TPL-ja, siguracioni i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, mbulon edhe dëmet shëndetësore të pasagjerëve në mjetin shkaktar me disa përjashtime.
Në rastin konkret, dy pasagjerët nuk bënin pjesë te përjashtimet dhe ata përfituan dëmshpërblimet përkatëse për dëmet jomateriale.
Mirëpo udhëtarët, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit, ishin një ekip xhirimi që me vete, në mjetin e aksidentuar, kishin edhe mjete xhirimi, dy prejt të cilëve, kamera dhe dron high tech, u dëmtuan rëndë me një vlerë të lartë financiare.
A i mbulon TPL-ja e drejtuesit edhe këto mjete? Përgjigjja është e qartë në policën siguruese, pika 2 e Dispozitave të Përgjithshme:
Sigurimi i përgjegjësisë të mbajtësve të mjeteve motorike nuk mbulon dëmet e sendeve, të cilat i ka marrë përsipër t’i transportojë mbajtësi i mjetit, shkaktar i aksidentit
dhe që ndodhen në mjet në çastin e ndodhjes së aksidentit.
Polica e sigurimit është një dokument me karakter kontratual, ajo ka vlerën e një kontrate të ligjshme dhe kjo pikë mbart më së qarti përgjigjen.




