Insurance Europe, pak ditë më parë, përmes një njoftimi zyrtar në website-n e vetë zyrtar ka përshëndetur paketën Digital Omnibus të publikuar nga Komisioni Europian.
Insurance Europe, federata evropiane e industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve, e vlerësoi paketën si hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe thjeshtimit të legjislacionit digjital të Bashkimit Europian.
Në javët në vijim, pritet që sektori i sigurimeve do të analizojë në detaje propozimet, por paketa shihet si një përpjekje domethënëse për t’i bërë rregullat digjitale më të thjeshta në zbatim dhe më koherente mes tyre.
Sipas Insurance Europe, thjeshtimi i rregullave digjitale të BE-së është thelbësor që kompanitë e sigurimeve të vijojnë investimet në inovacion, të përmirësojnë përvojën e klientëve, të përshpejtojnë proceset e dëmshpërblimit, të forcojnë përfshirjen financiare përmes parandalimit dhe menaxhimit më të mirë të rreziqeve, si dhe të reduktojnë barrën administrative të panevojshme.
Siguruesit luajnë një rol kyç në tranzicionin digjital të Europës.
Ata kontribuojnë në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj rreziqeve kibernetike gjithnjë në rritje, përmes zgjerimit të produkteve të sigurimit kibernetik për bizneset dhe individët, bashkëpunojnë me autoritetet për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj këtyre rreziqeve dhe forcojnë vazhdimisht infrastrukturat e tyre digjitale.
Para publikimit të paketës Digital Omnibus, Insurance Europe paraqiti edhe rekomandimet e saj në një dokument ku shpallte qëndrimin, duke theksuar katër nevoja në drejtime të ndryshme:
-
një përcaktim të qartë të fushëveprimit të rregullave për inteligjencën artificiale, për të shmangur mbivendosjet me legjislacionin ekzistues të shërbimeve financiare
-
raportim më të thjeshtuar dhe më të përdorshëm sipas Aktit për Qëndrueshmërinë Operacionale Digjitale (DORA), të mbështetur nga një pranim më i gjerë i certifikimeve të njohura
-
kërkesa të harmonizuara për sigurinë kibernetike dhe shërbimet cloud në nivel europian dhe kombëtar
-
rregulla më të qarta për përdorimin e të dhënave sipas GDPR dhe Aktit për Inteligjencën Artificiale, veçanërisht për trajnimin e AI dhe anonimizimin e të dhënave




