Rikategorizimi i primeve të sigurimit, i përcaktuar në Vendimin Nr.156/2024, synon të vendosë një sistem më të drejtë dhe të bazuar në faktorë realë të riskut.
Ndryshe nga sa raportohet, nuk bëhet fjalë për rritje çmimesh.
Por çfarë marrin parasysh ndryshimet e reja?
Ky ndryshim përllogaritjeje merr parasysh fuqinë motorike, moshën e mjetit, eksperiencën e drejtuesit, pronësinë dhe qarkun e regjistrimit.
Për mjetet me fuqi të ulët, primi i sigurimit do të ulet, ndërsa për mjetet e luksit apo me motorë të fuqishëm është rritur, pasi këto paraqesin rrezik dhe kosto më të lartë dëmesh.
Po ashtu, për mjetet e reja dhe elektrike, primi është ulur falë sigurisë dhe teknologjisë së avancuar, ndërsa për mjetet e vjetra është rritur për shkak të konsumimit dhe riskut më të madh për aksidente.
Nga 1 janari 2026 do të hyjë në fuqi sistemi Bonus-Malus, që shpërblen drejtuesit me historik vetjak pa aksidente dhe penalizon ata me dëme, ndërsa drejtuesit e rinj do të kenë prime më të larta.
Për mjetet në pronësi subjektesh, primi është rritur për shkak të përdorimit nga shumë drejtues dhe riskut më të lartë, ndërsa për këtë profil mjetesh, ku dominojnë mjetet me qira, taksi apo delivery, nuk do të aplikohet “malus” për të mos rënduar sipërmarrjet.
Përllogaritja sipas qarkut të regjistrimit është bërë mbi bazën e raportit të dëmeve, duke ulur koeficientin në zonat me më pak aksidente, por për zonat me më shumë aksidente nuk do të ketë rritje primesh pasi koeficienti i tyre fillon nga maksimalja 1.
95% e drejtuesve të mjeteve priten të përfitojnë nga ndryshimet e reja.




