Kryetari i Asamblesë së Anëtarëve të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, z. Xhevdet Kopani, përgëzoi Zyrën e Komisionerit për nismën dhe nënvizoi angazhimin e industrisë së sigurimeve për përputhje të plotë me ligjin e ri. “Kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për zbatimin e ligjit, përfshirë rishikimin e politikave të privatësisë, përditësimin e dokumenteve të brendshme dhe vijimin e trajnimeve për stafin,” – u shpreh z. Kopani. Ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës, znj. Mimoza Hajdarmataj, theksoi se sektori i sigurimeve ka dëshmuar gjithmonë vullnet dhe përgjegjshmëri të lartë në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
“Shoqatat dhe kompanitë anëtare kanë qenë gjithmonë koherente me standardet ligjore dhe etike. Kjo frymë bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në procesin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale,” – tha znj. Hajdarmataj. Në vijim të tryezës, përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit, znj. Besa Velaj, prezantoi risitë kryesore të ligjit, duke theksuar ndryshimet në detyrimet e kontrolluesve dhe përpunuesve të të dhënave, transparencën ndaj subjekteve dhe rolin e Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave (DPO).
Gjatë diskutimeve, u propozua hartimi i dokumenteve të unifikuara për sektorin e sigurimeve, deri në një Kod Sjelljeje, që do të ndihmojë shoqëritë në standardizimin e praktikave të mbrojtjes së të dhënave dhe rritjen e besimit të publikut.





