Një këmbë e thyer, një operacion urgjent apo një diagnozë e papritur me kancer — vizitat te veterineri mund të kushtojnë mijëra dollarë, dhe shumica e pronarëve të kafshëve shtëpiake nuk janë financiarisht të përgatitur. As në SHBA.
Blogu i lajmeve të Yahoo.com, mban parasysh realitetin e tregut amerikan të sigurimit të kafshëve, kur ngre këtë pyetje: A ia vlen?
Sipas një studimi të PetSmart Charities me Gallup në vitin 2025, mbi gjysma e amerikanëve kanë anashkaluar kujdesin veterinar për kafshët e tyre, kryesisht për arsye financiare.
Pikërisht për këtë arsye ekziston sigurimi për kafshët — për t’i ndihmuar njerëzit të thonë “po” trajtimit mjekësor pa u shqetësuar për kostot.
Kujdesi veterinar në SHBA kushton pa masë. 3 deri në 5 mijë dollarë e madje edhe më tepër kushtojnë disa ndërhyrje.
Sigurimi për kafshët është veçanërisht i vlefshëm për ata që mund të përballojnë një tarifë mujore, por jo një faturë të papritur prej mijëra dollarësh.
Megjithatë, sigurimi nuk është i përshtatshëm për të gjitha kafshët. Për kafshët e moshuara me probleme të mëparshme shëndetësore, apo për ata që kanë kursime të mjaftueshme, mund të mos ketë kuptim financiar.
Për të vlerësuar nëse sigurimi është i vlefshëm, ekspertët amerikanë rekomandojnë publikun e atjeshëm të marrë parasysh disa faktorë:
sa kushton kujdesi veterinar në zonë,
rreziqet shëndetësore që lidhen me racën, moshën dhe stilin e jetesës së kafshës,
si dhe kushtet e policës së sigurimit.
Për shembull, disa racave u shfaqen probleme të shtrenjta si displazia e ijeve, ndërsa kafshët që dalin jashtë rrezikohen më shumë nga aksidentet.
Gjithashtu, shumë sigurime nuk mbulojnë sëmundjet ekzistuese ose ofrojnë rimbursim vetëm pasi paguhet fatura fillimisht.
Së fundmi, nuk ka një përgjigje të saktë për të gjithë – por për shumë pronarë, sigurimi mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes së kafshës së tyre.