Një aksident tragjik është shënuar në Bullgari, ku si pasojë e përplasjes së një autobusi, kanë ndërruar jetë të paktën 46 turistë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa 7 të tjerë janë plagosur.
Për këtë ngjarje të rëndë, një reagim ka ardhur nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Ai thotë se në këtë kohë të vështirë, Bullgaria solidarizohet me Maqedoninë e Veriut. Më tej ai shkruan, se dhjetëra jetët e humbura është një dhimbje e madhe për dy vendet vëllazërore.
Lexo edhe: Lista e emrave/ Ja personat që udhëtonin në autobusin që u dogj nga flakët
Vlen të përmendim këtu se në mesin e viktimave janë 12 fëmijë, 2 prej të cilëve binjakë. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit të jetë bërë përgjumja e shoferit, ose një defekt teknik në mjet.
“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e ministrisë bullgare.
“Gabim i shoferit ose problem i papritur teknik i autobusit janë shkaqet e mundshme të aksidentit në të cilin humbën jetën së paku 46 persona”, tha drejtori i Shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borisllav Sarafov.
Reagimi i Edi Ramës:
S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët… Dhimbje
Reagimi i Olta Xhaçkës:
“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë!”