Ndonëse kryeministri Edi Rama kishte njoftuar se rivlerësimi me normë të ulur do të niste nga fundi i shatorit, kjo nuk ndodhi. Madje procesi mund të mos nisë këtë vit, pasi si fillim duhet të publikohen çmimet e reja të referencës, edhe në zonat bregdetare.
Ndërkohë tregu i shitblerjes së pronave ka ngecur.
“Do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur një vit, fund shtatori me fund shtatori”, deklaronte në korrik.
Shtatori u mbyll, rivlerësimi nuk ka ndodhur dhe tregu i shitblerjes së pronave ka ngecur.
“Kanë kaluar tashmë 4 muaj e gjysmë nga depozitimi në kuvend dhe projektligji nuk po miratohet. Shitjet kanë stopuar dhe tregu është në kolaps”, thotë për A2 CNN Ervin Demirxhiu, ekspert i vlerësimit të pronave.
Në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 23 shtator-11 tetor, shqyrtimi i projektligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” është planifikuar për të seancën e së enjtes të 3 tetorit. Por duke qenë se nisma ligjore nuk ka marrë “dritën jeshile” në asnjë prej komisioneve, miratimi i saj mbetet me pikëpyetje.
“Duhet një vendimmarrje. Drafti është depozituar më 15 maj. brenda 30 ditëve kohë legjislativi do duhej të kishte vendosur se çfarë të bënte me projektligjin”, thotë për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Në mesin e muajit maj, deputetja socialiste, Blerina Gjylameti, depozitoi në Kuvend projektligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vetëm 3 për qind deri në 31 qershor 2025. Kryeministri Rama, njoftoi në korrik se norma e rivlerësimit do të ishte 5%, mirëpo të dy versionet kanë mbetur pezull.
“Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij”, thotë Pipiria.
Burime për A2 CNN shpjegojnë se vonesat në miratimin e këtij projektligji po vijnë pasi fillimisht duhet të publikohen çmimet e reja të referencës, edhe në zonat bregdetare. Gjithashtu ka paqartësi mbi mënyrën se si do të veprohet me amortizimin 1 për qind për çdo një vit vjetërsi.