Covid-19 ka ardhur të qëndrojë dhe siç tregojnë studimet, tashmë do kemi vazhdimisht nënvariante të Omicron.
Në Shqipëri po qarkullon nënvarianti KP3 por pa simptoma të rënda, edhe pse duhet kujdes.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti shpjegon për Gazetasi.al se ka dy valë infektimesh, vala dimërore dhe vala verore, ku ajo verore është më e lehtë.
Gjithashtu, epidemiologu thotë se në vend për momentin nuk ka qarkullim të gripit dhe çdo simptomë tregon një vizorë, potencialisht Covid-19, por jo grip.
“Nuk ka grip. Cilado të jenë simptomat, mund të jetë çdo virozë, potencialisht Covid-19 por jo grip pasi nuk ka qarkullim të gripit në këtë periudhë”.
Sipas parashikimeve, pritet që në javën e parë të gushtit të arrihet piku i virozave dhe më pas të fillojë rënia, duke bërë që në fund të gushtit të kemi një situatë normale me virozat por edhe me nënvariantet si KP3.
Alimehmeti shpjegon se KP3 nuk është më i rrezikshëm se nënvariantet e tjerë që kanë qarkulluar deri më tani dhe kujdesi më i madh duhet pasi të fillojnë simptomat e para.
Mjekët e familjes tregojnë se simptomat janë temperature që mund të lëvizë mes 37.5 deri në 40 gradë, e shoqëruar me djersë, dhimbje fyti, diarre, të vjella dhe këputje.
Nga simptomat e para që mund të shfaqen janë ngjirja e zërit apo dhimbjet e lehta në trup.
Në spitalin infektiv janë të shtruar 15 persona të prekur me Covid-19.
Epidemiologu i ISHP Artan Simaku tha për mediat se prania e variant Omicron që po qarkullon aktualisht në Shqipëri, shfaq simptoma të lehta, por grupet e riskut nuk duhet t’i neglizhojnë.
“Ka të shtruar në spital dhe janë rreth 15 persona të shtruar të grupmoshës 65 vjeç e lart, janë grupmosha në risk dhe duhet të respektojnë masat; distancim fizik, të evitojnë grumbullimet, mbajtja e maskës dhe higjienë e mirë, të lajnë duart. Qarkullon varianti Omicron me nënvariantet e tij. Është një variant i lehtë me sëmundshmëri të lehtë, vetëm me shqetësime fyti, me temperaturë më të ulët se gripi dhe shenjat e përgjithshme”, thotë Simaku.