Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – qershor 2024 kapën vlerën 11,880 milionë lekë, ose 7.55% më shumë se në janar – qershor 2023.
Sipas raportit të AMF, gjatë periudhës janar – qershor 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 699,453 me një rritje prej 9.62% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.31% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.64% dhe risigurimi me 0.048%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.08% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.92% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar – qershor 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,124 milionë lekë, ose 24.53% më shumë se në periudhën janar – qershor 2023.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar – qershor 2024 arritën rreth 5,236 milionë lekë, 5.19% më pak se në periudhën janar – qershor 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.74 % krahasuar me periudhën janar – qershor 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë 6-mujorit 2024, patën një rritje me 3.30% kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar – qershor 2024 siguruan mbi 2,353 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 73.91%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.11% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar – qershor 2024, vihet re një rritje prej 1.30% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 2.96% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – qershor 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar – qershor 2024, arritën në rreth 786 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.26% në krahasim me periudhën janar – qershor 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar – qershor 2024, arritën rreth 1,027 milionë lekë, ose 14.39% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
KLIKONI KËTU PËR RAPORTIN E PLOTË