14.5 C
Tirana
Friday, October 18, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSigurojmë makinën, por jo shëndetin, pronën, përgjegjësinë.../ Shoqata e Siguruesve: Sigurimet vullnetare...

Sigurojmë makinën, por jo shëndetin, pronën, përgjegjësinë…/ Shoqata e Siguruesve: Sigurimet vullnetare duhej të ishin në shifra të tjera

Rritja e numrit të turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë por nga ana tjetër edhe e shqiptarëve që udhëtojnë në vendet e tjera nëpërmjet rrugëve tokësore është reflektuar edhe shtimin e kontratave të sigurimeve, Kartoni jeshil apo dhe Sigurimi Kufitar, dy produkte të detyrueshme, u rritën përkatësisht me 21.7% dhe 5.3% në 5 muajt e parë të vitit.

Në një intervistë për A2 CNN, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë znj.Mimoza Hajdarmataj shprehet se, gjatë stinës së verës ka rritje në disa produkte Sigurimi.

“Ka rritje ndër produkte me rritje krahasuar dhe me Covidin më pas ka qenë vetëm në rritje. Kryesisht vera ka rritje në këtë produkt si pasojë e turizmit, qoftë për ata që shkojnë për pushime jashtë por dhe turistët që vijnë në Shqipëri. Asnjë automjet i huaj nuk mund të hyjë pa Sigurimin Kufitar, ndërsa makinat shqiptare që kalojnë kufi përdorin Kartonin Jeshil. Mbulojnë dëmet që ndodhin me automjetet. TPL është me detyrim është bërë dhe një lloj rregullimi për sigurimin e jetës së udhëtarëve kryesisht për mjetet autobus”.

Ndonëse këto dy produkte janë një detyrim për të dyja palët, nga ana tjetër sigurimi i shëndetit është lënë pas dore.

Mbi 3 milionë shqiptarë udhëtuan drejt vendeve të tjera në janar-maj, por shumë pak patën shëndetin primar.

Sipas Hajdarmataj, “Sigurimet vullnetare duhej të ishin në shifra të tjera”. Ndërsa shton se, edhe për shkak të mentalitet të trashëguar nga e kaluara komuniste, jemi ende shumë larg pozitës ku duhej të ishim sa i përket sigurimeve, duke parë edhe rreuiqet që shtohen ditë pas dite.

“E kemi përsëritur disa herë: për shkak të mentalitetit të trashëguar nga komunizmi dhe rolit të shtetit, qytetarët por edhe bizneset kanë shtuar interesin për sigurimet por janë edhe larg nivelit ku duhej të ishim, pavarësisht se i dinë risqet që i kërcënojnë.

Sigurimet vullnetare duhej të ishin në shifra të tjera.

Shqipëria rënditet mes vendeve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj ndërsa sëmundëshmëria vijon të rritet.

Këto janë disa prej arsyeve kryesore pse Sigurimi i Shtëpisë, Biznesit apo Shëndetit duhet të jetë prioritet për secilin prej nesh. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me sigurimet që janë të detyrueshme.

Të mendosh që për një prim vjetor prej rreth 5,000 lekësh në vit të rrezikosh banesën për të cilën ke investuar vite të tëra punë dhe vlen dhjetëra milionë lekë, është e palogjikshme.

Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për faktin se, sigurimet mundësojnë mbrojtje, stabilitet financiar dhe rritje ekonomike.

Sigurimi i automjeteve, pasurisë, shëndetit, udhëtimit, i aksidenteve duhet të jenë prioritet për secilin prej nesh.

Imagjinoni kaosin që do të ndodhte nëse nuk do të kishim sigurime dhe nëse kompanitë dhe qytetarët nuk mund të mbroheshin nga aksidentet apo fatkeqësitë natyrore”.

Sipas znj. Hajdarmataj, edhe pse në rritje vit pas viti, Shqipëria mbetet vendi i fundit në Europë sa i përket penetrimit në sigurime.

“Jemi ndër vendet me nivelin më të ulët të penetrimeve të sigurimeve, sigurimi pronës jetës, përgjegjësive etj. Krahasojmë trendin sa shpenzojnë shqiptarët me qytetarët europian dhe themi se jemi mbrapa. Jemi të fundit sa i përket shkallës së penetrimit të sigurimeve.”

Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit në periudhën janar – maj 2024 kapën vlerën 9,3 miliardë lekë, ose 4.52% më shumë se në janar – maj 2023.

Gjatë kësaj periudhe të parë të vitit, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 557,938, me një rritje prej 10.46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.91% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës vetëm 9.04% dhe risigurimi 0.042%.

Nëse bëjmë një krahasim të ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, rezulton se primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.91% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë gati 58% të totalit të tregut.

Nga janari deri në maj, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve ishin 32.27% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, konkretisht 3,4 miliardë lekë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat