5.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTregu i "leasing", rritje me 7.7%

Tregu i “leasing”, rritje me 7.7%

Tregu i qirasë financiare (leasing) u rrit me ritme më të shpejta vitin e kaluar.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i qirasë financiare në fund të vitit 2023 arriti vlerën e 11.2 miliardë lekëve, ose rreth 108 milionë euro. Vlera e portofolit u rrit me 7.7% krahasuar me vitin 2022.

Qiraja financiare është një produkt i fokusuar kryesisht në financimin e mjeteve të transportit të bizneseve dhe individëve dhe në një pjesë më të vogël në financimin e pajisjeve dhe linjave të prodhimit të bizneseve.

Portofoli i qirasë financiare, sipas produkteve, dominohet nga financimet për mjete transporti personale (42%) dhe mjete transporti pune (29%).

Në vitet e fundit, kompanitë e lizingut po shtojnë vëmendjen edhe në financimin e pajisjeve për prodhimin e energjisë së rinovueshme, sidomos të paneleve diellore.

Tregu i leasing, ashtu si ai i produkteve të tjera financiare, ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në periudhën pas pandemisë. Një nga aktivitetet ku leasing ka peshë të rëndësishme është financimi i blerjes së automjeteve për dhënien e tyre me qira, kryesisht për përdorim nga turistët.

Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të po shënojnë një rritje të shpejtë dhe kjo rritje po i jep efektet e veta zinxhir edhe në sektorët financiarë të lidhur me të.

Turizmi gjithashtu ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike. Blerja e tyre përbënin gjithashtu një kontigjent të rëndësishëm të kërkesës për financime me leasing.

Efekti i tërthortë i turizmit shtrihet edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve. Një segment tjetër në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore, ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare, raporton “Monitor”.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në tregun e qirasë financiare ushtrojnë aktivitet 10 institucione të licencuara për ofrimin e qirasë financiare. Megjithatë, veç institucioneve financiare jobanka, ky produkt ofrohet edhe nga disa bankave tregtare në vend.

Qiraja financiare është një produkt i ngjashëm me kredinë, por ndryshimi kryesor është se produkti i financuar nëpërmjet saj mbetet në pronësi të institucionit financiar deri në momentin kur klienti shlyen detyrimin e plotë.

Mekanizmi i leasing parashikon një parapagim të pjesshëm nga klienti të vlerës së mjetit apo pajisjes së financuar.

Parapagimi minimal ndryshon në varësi të kushteve që ofron secili institucion financiar, por mund të fillojë nga 10%, deri në 30% të vlerës. Pjesa e mbetur paguhet me këste mujore deri në shlyerjen e plotë të vlerës.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat