Sezoni turistik ka nisur më herët këtë vit dhe fluksi në rritje i turistëve premton një tjetër rekord të ri, por panorama e aksidenteve rrugore nuk duket e mirë që në nisje të tij.
Sipas analizës së bërë për 5 muajt e parë vitit nga Urgjenca Kombëtare Mjekësore, këtë vit janë shënuar mesatarisht 11 aksidente në ditë nga 9 që ishte një vit më parë.
“Më të rrezikshme si aksidente klasifikohen ato me makinë, motor, biçikletë, këmbësorë dhe mjete të rënda. Nga 9 aksidente që kanë qenë në vitin e kaluar, tani kemi 11 aksidente në ditë. Një rritje e lehtë është shënuar edhe në aksidentet me makinë”, thotë Brataj.
Ajo që bie në sy është rritja e madhe që kanë pësuar aksidentet me biçikleta dhe monopate.
“Ajo që ra në sy është se nga 149 është rritur në 208 numri i aksidenteve me biçikleta, që përkthehet në 39 përqind më shumë aksidente, ku përfshihen dhe ato me monopatë. Kemi vënë re shumë herë që aksidentet ndodhin si pasojë e moszbatimit të rregullave dhe kalimi edhe në sens të kundërt”.
Drejtori i Urgjencës thekson se kjo situatë vjen edhe për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve që hyjnë në Shqipëri gjatë sezonit dhe atyre të regjistruara ndërkohë që numri i vdekjeve deri më tani nuk ka ndryshuar.
Aksidentet rrugore në mbi 15% të rasteve kanë ndodhur edhe si pasojë e sjelljes së këmbësorëve të cilët nuk respektojnë sinjalistikën dhe janë burim aksidentesh në zonat urbane.
LEXO EDHE: 54 viktima dhe 635 të plagosur nga aksidentet rrugore në 4 muaj, INSTAT: Në rritje muaj pas muaji