Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi dje projektligjin i cili parashikon zgjatjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit deri në dhjetorin e vitit 2027. Afati më i fundit ka përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar.
Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi bëri të ditur se në këtë mënyrë u krijohet mundësia personave që i zotërojnë këto bono t’i përdorin deri në fund të këtij afati.
“Bonot mund të përdoren me qëllim lehtësimin e procesit të legalizimit të ndërtimeve informale nëpërmjet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dhe procesit të privatizimit me të drejtë parablerjeje për ish-pronarët e truallit, subjektet që kanë objekte me kontrate qiraje apo enfiteoze”.
Shpërndarja e bonove të privatizimit në Shqipëri nisi në vitin 1995 me qëllim privatizimin e objekteve dhe pronave shtetërore. Që nga ai vit e deri më sot procesi ka kaluar përmes zvarritjesh dhe shtyrje me disa herë të vlefshmërisë së këtyre letrave.
Sipas të dhënave që i referohen fillimit të vitit 2022, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.